Giuntoli nuk e përmend fjalën “titull”: Danilo nuk largohet, na duhet vetëm një mbrojtës

3 Dhjetor 2024
9:19
Alfred Lleshi
back button

“Ky është një vit i veçantë për ne, sepse përveç mungesave të shumta, jemi duke u mbështetur te cilësitë e një grupi lojtarësh seriozë dhe të besueshëm, duke luftuar për të mbetur në pjesën e sipërme të renditjes, pavarësisht vështirësive”. Cristiano Giuntoli, drejtori teknik i Juventusit, bën një analizë të situatës aktuale të klubit bardhezi, e cila ndikohet nga një numër i madh dëmtimesh, që kufizojnë zgjedhjet e trajnerit Thiago Motta.

Objektivat e Juventusit – “Objektivi ynë mbetet i qartë: të përfundojmë ndër katër të parët. Kemi nisur një cikël të ri me shumë lojtarë të rinj dhe një qasje të re ndaj futbollit. Paradoksalisht, jemi të kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat, pavarësisht mungesave”.

Merkatoja e janarit – Në lidhje me përforcimet, Giuntoli përmendi një emër kryesor për mbrojtjen: Antonio Silva: “Është një lojtar interesant, si të tjerët. Në janar askush nuk i zbulon kartat që në fillim. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë për të bërë lëvizjen e duhur në momentin e duhur. Sa i përket Danilos, ai është kapiteni ynë dhe nuk e largojmë. Aktualisht jemi të reduktuar në minimum në mbrojtje, kështu që qëllimi ynë është të mos shesim askënd, por të bëjmë një përforcim”.

Situata në sulm – Në lidhje me emergjencën në sulm dhe pritshmëritë për Arek Milik, drejtori bardhezi shtoi: “Një tjetër sulmues? Për momentin po presim të shohim se si do të shkojë rikuperimi i Arek. Besojmë se mund të japë shumë për ekipin, pasi është i përshtatshëm për lojën e trajnerit. Nëse do të ndodhte një pengesë tjetër, do të ishim gati të ndërhynim në merkato”.

Juventusi mbetet i fokusuar për të përballuar sfidat e sezonit, duke planifikuar me kujdes lëvizjet e merkatos së janarit. Synimi është forcimi i skuadrës dhe ruajtja e pozicioneve kryesore në renditje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit