Situata e Kylian Mbappé në Francë vazhdon të shkaktojë bujë. Sulmuesi i Real Madridit nuk u thirr nga trajneri Didier Deschamps për ndeshjet e Ligës së Kombeve për shkak të një dëmtimi. Pavarësisht kësaj, sulmuesi (i cili foli me skuadrën përmes telefonit në analizën teknike para ndeshjes kundër Izraelit) doli në fushë në ndeshjen e fundit kundër Villarrealit, duke ndezur në mënyrë të pashmangshme polemika në vendlindjen e tij.
“Ka raste kur duhen peshuar gjërat mirë, – ishte përpjekur t’i zbuste gjërat Deschamps me një video në kanalet zyrtare të federatës. – Ky është rasti me Kylian, të cilin nuk mund ta rrezikojmë kurrsesi. Ne duhet ta shohim atë në mënyrë më të përgjithshme. Postulati fillestar është se interesat e klubeve dhe interesat e ekipeve kombëtare, nuk po i referohem vetëm kombëtares franceze, në një moment të caktuar ndryshojnë domosdoshmërisht. Nuk duhet të harrojmë se punëdhënësi i Mbappe është klubi, jo federata”.
Megjithatë, “Aftonbladet” i hodhi më tej benzinë zjarrit. Sipas medias autoritative suedeze, sulmuesi i Merengues është parë në Stokholm duke darkuar në një restorant dhe më pas duke shkuar në një klub nate. Një sjellje që nuk duhet të jetë e përshtatshme për dikë që po shërohet nga një dëmtim. Sipas të gjitha gjasave, Real Madridi do t’i ketë dhënë lojtarit të vet disa ditë pushim, por padyshim që kjo ngre polemika të mëtejshme në Francë, pas mosthirrjes së tij në kombëtare.