Gjermania përvijohet edhe më shumë si pretendente në “Euro 2024”, bëhet kombëtarja e parë që siguron kalimin e fazës së grupeve për në 1/8 finale. Natyrisht, si kombëtare mikpritëse e kompeticionit, ajo ka mbështetjen e madhe të tifozërisë, por edhe në fushën e lojës ka demonstruar potencial. Trajneri Nagelsmann ka injektuar idetë e tij, duke marrë dy fitore në dy ndeshjet e para të këtij Europiani.
Pasi “shkatërroi” Skocinë 5-1 në inaugurim të kompeticionit, kombëtarja gjermane ka likujduar dhe Hungarinë 2-0. Nga një gol në secilën pjesë, Musiala 22’ dhe Gundogan 67’ kanë mjaftuar për të shtuar tri pikë të tjera në llogarinë e gjermanëve. Të cilët kryesojnë grupin A me pikë të plota (6).
Zvicra është në vendin e dytë, me 3 pikë, por nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së dytë (starton në orën 21:00). E thënë ndryshe, nëse helvetët fitojnë ndaj Skocisë, edhe ata barazohen me gjermanët dhe pastaj, në sfidën direkte (e treta në grup), do të diskutojnë për kreun.
Golaverazhi pozitiv 7-1 tregon se kjo Gjermani ka për të ecur përpara si mikpritëse e Europianit, duke e shfrytëzuar këtë faktor, por edhe kthimin e “regjisorit” Toni Kroos, pjekurinë e Gundogan, talentin e Musiala, sigurinë e portierit Neuer dhe ndërthurjen mes të rinjve e veteranëve.
Kuptohet, deri më tani, dy kundërshtarët kanë qenë më të lehtët në letër për kombëtaren e Nagelsmann, por indiciet e dhëna janë mjaft optimiste.