Gjimshiti dhe Asllani njëzëri: I lamë shumë hapësirë Italisë, keqardhje e madhe prej tifozëve

15 Qershor 2024
23:53
Alfred Lleshi
back button

Ka shumë keqardhje, sidomos për tifozërinë e mrekullueshme kuqezi, që “përmbyti” Dortmundin. Humbja 2-1 ndaj Italisë djeg, edhe pse duhet konsideruar dinjitoze, po të kemi parasysh se po sot, Kroacia u mund 3-0 ndaj Spanjës. Pas ndeshjes, kapiteni Gjimshiti dhe mesfushori Asllani dhanë mendimin e tyre për atë që ndodhi në sfidën e parë të tyre në “Euro 2024”.

Gjimshiti nënvizoi: “Performanca jonë nuk ishte aq e mirë, siç e kishim përgatitur. Ka gjëra për t’u përmirësuar. I kemi lënë shumë hapësira Italisë, ka mbërritur shumë lehtë në zonën tonë të 16 metrave. Duhet analizuar dhe përmirësuar kjo gjë, sepse nuk kemi kohë. Për 4 ditë do të luajmë me Kroacinë.

Momenti më i vështirë është kur shënojmë gol. Gjëja më pozitive e kësaj nate është se kemi qendruar në lojë deri në minutën e 94-t. Kishim edhe një rast në fund për të barazuar. Pas pjesës së parë iu thashë të gjithëve se na kanë munguar faullat sot. Duhet t’i ndërprisnim ritmin kundërshtarit. Duhen edhe këto, jo vetëm loja e bukur. E gjithë skuadra zbriti shumë poshtë.

Duhet të ngjitemi pak më lart dhe të bëjmë presion, sepse ishte shumë e lehtë për ata sot. Tifozëria jonë është më e bukura në botë. Nuk ka shumë fjalë, dua t’i falënderoj të gjithë shqiptarët në botë. Ishte një atmosferë fantastike. Është një nxitje për ne që të japim maksimumin dhe pse jo të befasojmë”.

Nga ana e tij, Asllani shtoi: “Kemi pasur atë rastin e fundit dhe nuk barazuam dot. E gjetëm golin shpejt me Bajramin. Për mendimin tim u kthyem shumë mbrapa. Italia e mbajti topin shumë mirë, sepse është kampionia në fuqi. Kemi qëndruar në lojë deri në fund, do të shohim përpara, kemi ndeshjen tjetër. Më vjen keq vetëm për tifozët.

Italia sulmonte me shumë forca, ishte shumë e vështirë për mua dhe Ramadanin. Po vraponim shumë kot, sa majtas, sa djathtas. Jemi lodhur shumë. Më vjen shumë keq që nuk iu dhamë një rezultat pozitiv tifozëve. I falënderoj me zemër të gjithë. Shpresoj të jenë edhe në dy ndeshjet e tjera”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit