Një rast ideal për të bërë “homazhe” për viktimat e luftës. Oleksandr Zinchenko ishte ndër protagonistët e fitores së arritur nga Ukraina e tij në Shqipëri me rezultatin 2-1, të martën në mbrëmje në “Arena Kombëtare”, ditën e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Lojtari i Arsenalit zhbllokoi rezultatin në minutën e katërt të ndeshjes me një gjuajtje të bukur buzë zonës së portës kuqezi. Menjëherë shkoi drejt tifozëve ukrainas dhe kërkoi prej tyre diçka, e cila ishte pikërisht një fanellë e verdhë me numrin 1000 në të.
Bashkë me shokët e skuadrës e festoi golin në këtë mënyrë, teksa numri 1000, sipas mediave angleze, tregonte ditët që kanë kaluar nga fillimi i luftës në Ukrainë (24 shkurt 2022).
Falë golave të Zinchenko dhe Yaremchuk, ukrainasit shmangën rënien në Ligën C, “peshqesh” që i mbeti kombëtares shqiptare si e fundit në grup. Madje, ukrainasit përfunduan të dytët në grupin e tyre, pas Republikës Çeke, duke u ngjitur në Ligën A.