Tifozët e Real Madridit kanë zgjedhur Jude Bellingham si lojtarin më të mirë të muajit nëntor. Një muaj ku mesfushori ofensiv anglez u rikthye të luante në nivelet e sezonit të kaluar. Lojtari shprehu mirënjohjen e tij: “Është shumë e veçantë ta marrësh këtë çmim nga tifozët dhe të dish që i vlerësojnë paraqitjet e mia. E kam përmirësuar mënyrën time të lojës dhe është e mrekullueshme ta marrësh këtë njohje”.
Bellingham theksoi se njohja e arritjeve të kaluara është e rëndësishme, por ai është i përqendruar te sfidat që vijnë: “Jam gjithmonë i fokusuar në hapin tjetër dhe jo në të kaluarën. Jam i përqendruar te sfidat e ardhshme, por e vlerësoj këtë lloj njohjeje që më kujton çfarë kam bërë. Megjithatë, ajo që do të ndodhë në fund të sezonit është më e rëndësishme”.
Në fund, futbollisti anglez foli për formën e tij të shkëlqyer dhe për ndeshjen e radhës që e pret Realin, sonte në mbrëmje kundër Rayo Vallecano: “Po shënoj shumë gola, po luaj shumë më mirë, ndihem shumë mirë dhe kam shumë besim. Tani duhet të vazhdoj kështu. Ndeshja e radhës në kampionat është shumë e rëndësishme për të vazhduar serinë e fitoreve radhazi në La Liga”.
Në 19 ndeshje të zhvilluara deri tani mes kampionatit, Champions League dhe Superkupës së Europës, Bellingham ka regjistruar 6 gola dhe 6 asistime, duke shënuar në secilën nga 5 ndeshjet e fundit të La Liga-s.