“Ne patjetër kemi respekt për gjermanët, por jo aq sa skocezët në ndeshjen hapëse, të cilët ia dhanë topin plotësisht Gjermanisë. Jemi të lumtur, jemi zjarr dhe duam ta fitojmë ndeshjen”.
Kështu ishte shprehur pak ditë më parë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka. Dhe kur shqiptaro-zvicerani u përball me Gjermaninë, të dielën në mbrëmje, helvetët pothuajse e përmbushën profecinë e tij. Fitorja u zbeh vetëm në kohën shtesë.
Ndërkohë, megjithatë, pavarësisht nga barazimi 1-1 që e kualifikoi Gjermaninë si të parën dhe Zvicrën si të dytën në grup, mesfushori i Bayer Leverkusen u vlerësua edhe një herë. Ai u shpërblye nga UEFA si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Në fund të lojës, sipas ritualit në këto ndeshje të “Euro 2024”, Xhaka mori çmimin nga organizatorët e turneut. Kjo është hera e pestë që ai zgjidhet si MVP i Kampionatit Europian nga UEFA, vetëm Cristiano Ronaldo dhe Andres Iniesta (me nga 6 MVP) kanë më shumë çmime “lojtari më i mirë i ndeshjes” se ai.
Me pak fjalë, pas sezonit fantastik të kaluar me Bayer Leverkusen, me të cilin u bë kampion i Gjermanisë për herë të parë në karrierë, Xhaka po arrin të përjetojë edhe një Kampionat Europian si protagonist. Numrat (dhe çmimet) flasin për të.