Gravina “bekon” Gattuso në stolin e Italisë: Bluja është si lëkurë e dytë për të

16 Qershor 2025
8:16
Alfred Lleshi
back button

Gennaro Gattuso është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares italiane. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, e komentoi kështu këtë vendim përmes kanaleve zyrtare të federatës: “Gattuso është një simbol i futbollit italian, bluja për të është si një lëkurë e dytë.

Motivimi i tij, profesionalizmi dhe përvoja do të jenë vendimtare për të përballuar në mënyrën më të mirë sfidat e ardhshme të kombëtares sonë. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e objektivit që duam të arrijmë, e falënderoj për disponueshmërinë dhe përkushtimin e plotë me të cilin ka pranuar këtë sfidë, duke ndarë projektin e FIGC për zhvillimin e përgjithshëm të futbollit tonë, në të cilin fanella blu ka një rol strategjik qendror”.

Italia thërret, Gattuso përgjigjet.. Kombëtarja italiane ka më në fund trajnerin e saj të ri. Bëhet fjalë për Gennaro Ivan Gattuso, i lindur më 1978, ish-mesfushor, simbol i Milanit, kampion bote në vitin 2006 me Italinë, kombëtare që tani është thirrur ta rikthejë në rrugën e duhur.

Emërimi i Gattuso si trajner i Italisë është zyrtarizuar nga vetë FIGC përmes një njoftimi: “Federata Italiane e Futbollit njofton se i ka besuar detyrën e trajnerit të kombëtares italiane Gennaro Gattusos. Trajneri kalabrez do të prezantohet të enjten, më 19 qershor, në orën 11:00, në ‘Hotel Parco dei Principi’ në Romë”.

Gattuso zëvendëson Luciano Spallettin, i cili u shkarkua pas humbjes 3-0 në Norvegji, një disfatë që rrezikon seriozisht rrugën e Italisë drejt Kupës së Botës 2026. Në ditët në vijim pritet të zyrtarizohet edhe stafi i ri teknik, që do ta shoqërojë Gattuson, si dhe strukturat e reja që do të formojnë “grupin e ri blu”, të ngarkuar me ringritjen e kombëtares italiane.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit