Gravina “mbron” Juven: Mjaft linçimeve nga rruga! Pastaj i hakërrehet kreut të La Liga-s: Merru me shtëpinë tënde…

30 Nëntor 2022
14:29
Alfred Lleshi
back button

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, mëngjesin e sotëm ka marrë pjesë në Forumin e Futbollit dhe Mirëqenies të organizuar në Napoli. Me ardhjen e tij, numrit një të futbollit italian iu desh t’i përgjigjej tufës së gazetarëve të pranishëm në lidhje me “tërmetin” te Juventusi, që çoi ndër të tjera në dorëheqjen e bordit drejtues dhe presidentit Agnelli.

“Ne po e ndjekim me kujdes çështjen, edhe prokuroria jonë publike tashmë ka hapur një dosje hetimore, për të verifikuar ekzistimin e ndonjë krimi”, – nënvizoi në fillim kreu i FIGC. Megjithatë, ai iu bëri thirrje të gjithëve të jenë të kujdesshëm:

“Unë jam kundër linçimit nga rruga, le të qëndrojmë të qetë, sepse kam frikë se problemi mund të shqetësojë edhe klubet e tjera. Drejtësia e zakonshme është gjithashtu në punë dhe ne do të duhet të presim përfundimin e çdo gjyqi përpara se të përmbledhim atë që ndodhi.

Është moment i rëndësishëm reflektimi për të gjithë sistemin tonë të futbollit, le të shohim se çfarë do të dalë nga procedura në vazhdim. Kur them se kjo temë mund të shqetësojë klubet e tjera nuk i referohet hetimit në vazhdim ndaj Juventusit, por një reagimi të acaruar që në Itali, në përgjithësi, i bën ata që nuk janë dënuar ende fajtorë”.

Më pas kundërpërgjigja ndaj kreut të La Liga-s, Javier Tebas, pas kërkesës së djeshme për t’i sanksionuar bardhezinjtë: “Ne jemi gjithmonë në kontakt shumë të ngushtë me UEFA-n, nuk kemi nevojë për ndërhyrje nga subjektet e jashtme.

Ato do të bënin më mirë të shikonin shtëpinë e tyre. Futbolli italian po kalon një periudhë të vështirë rithemelimi, çështjet kritike të së cilit të gjithë i dimë shumë mirë. Sidoqoftë, ne kemi projekte serioze dhe po punojmë për t’i realizuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit