Griezmann zbulon trajektoren e ardhshme të karrierës: Dua ta mbyll atje

5 Qershor 2020
9:08
Alfred Lleshi
back button

Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann, është i gatshëm ta përfundojë karrierën e tij në MLS, duke pranuar se kjo do të ishte një mbyllje e natyrshme. Kampionati amerikan nuk është i huaj për të nënshkruar në të lojtarët me emër të madh në fazat e fundit të karrierës së tyre, mjafton të kujtojmë David Beckham, Zlatan Ibrahimovic dhe Andrea Pirlo.

Vetëm këtë sezon, ish-sulmuesi i Manchester United dhe Real Madrid, Javier Hernandez, u bashkua me LA Galaxy, ndërsa ish-mesfushori i Tottenham, Victor Wanyama, shkoi te Montreal Impact. Duket se Griezmann është i destinuar për një eksperiencë në MLS, në të ardhmen, megjithëse për momentin synon trofe me Barcelonën, ku ka kontratë deri më 2022.

“Fitimi i La Liga-s dhe Ligës së Kampionëve me Barcelonën do të ishte një ëndërr, gjithashtu objektivi im, – tha Griezmann për “Los Angeles Times”. – Në planet e mia është edhe një Kupë Bote, ajo e Katarit. Më pas do të mendoj për MLS. Unë nuk e di se me cilin ekip, por vërtet dua të luaj atje. Për mua është objektiv ta përfundoj karrierën në SHBA, me mundësinë e të luajturit mirë. Pra, dua të jem pjesë e rëndësishme e ekipit dhe të luftoj për titull.

Për momentin kam fituar një Kampionat Botëror, synoj edhe një Ligë Kampionesh. Pastaj mund të transferohem e të luaj në ShBA. Ky është itinerari im ideal. Nuk është i keq apo jo? Nëse plani do të shkonte kështu, unë do ta nënshkruaja që tani. Nuk e di se në cilën moshë mund të luaj në MLS, gjithçka varet nga trofetë që do të fitoj më parë. Afër 32 ose 33 vjec, dua të jem atje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit