Sara Arfaoui, bashkëshortja jo pak mediatike e Ilkay Gündogan, ka marrë një masë drastike. E bëri këtë menjëherë pasi Barcelona nuk e llogariti më bashkëshortin e saj për sezonin e ri, me qëllim të qartë për të kursyer ato 18 milionë euro rrogë që i mbeteshin për t’i marrë gjermanit, në bazë të kontratës që kishte. Gruaja e Gündogan ka vendosur të ndalojë ndjekjen e Barçës në rrjetet sociale.
Ilkay Gundogan, 33-vjeçari gjerman u largua nga Manchester City për te Barcelona verën e vitit 2023. Në atë moment ishte kapiteni i skuadrës së Pep Guardiolës dhe sapo kishte fituar tripletën historike.
Megjithatë, çështjet financiare të gjigantëve katalanas i kanë penguar ata të regjistrojnë nënshkrimin e ri Dani Olmo në La Liga për sezonin e ri dhe lirimi i një prej lojtarëve me paga të larta do ta qetësonte këtë proces.
Manchester City po lufton me çështjet e hershme të personelit, që përfshijnë largimin prej 81 milionë stërlinash të sulmuesit argjentinas Julian Alvarez tek Atletico Madridi këtë verë dhe dëmtimit të norvegjezit Oscar Bobb, i cili mund ta mbajë jashtë fushave për katër muaj.
Gundogan mund t’iu japë një përgjigje afatshkurtër këtyre problemeve të “qytetarëve” dhe nuk do të kërkonte përshtatje, sepse ka luajtur për vite në “Etihad”. Trajneri Pep Guardiola nuk donte që Gundogan të largohej nga Manchester City vitin e kaluar, por klubi nuk ishte i gatshëm t’i ofronte mesfushorit gjerman kohëzgjatjen e kontratës që ai dëshironte.
Pasi iu bashkua “qytetarëve” nga Borussia Dortmund për 20 milionë stërlina në vitin 2016, Gundogan bëri 304 paraqitje për Manchester City, duke shënuar 60 gola. Gjatë 7 viteve në “Etihad Stadium”, ai fitoi 14 trofe: 5 tituj të Premier League, një Champions League, 2 “FA Cup”, 4 “Carabao Cup” dhe 2 “Community Shields”.
Dhe ja ku jemi tashmë. Ilkay Gündogan përsëri te Manchester City nga Barcelona, me marrëveshje falas. Pep Guardiola i tha “po” rikthimit të gjermanit dhe Blaugranët donin që ai të largohej. Gündogan ka pranuar propozimin e Manchester City për marrëveshje deri në qershor 2025, përfshirë opsionin për sezonin pasues.