Grumbullimi i parë me Sylvinhon si trajner, Manaj në “sparkatë”: Jam gati për Europianin

18 Mars 2024
12:42
Alfred Lleshi
back button

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, ndaj Kilit dhe Suedisë, respektivisht më 22 dhe 25 mars. Kuqezinjtë janë grumbulluar në kryeqytet dhe po stërviten në kompleksin e “Shtëpisë së Futbollit”. Sytë e të gjithëve janë nga finalet e “Euro 2024”, gjithsecili ëndërron që të jetë pjesë e listës finale të trajnerit Sylvinho për ekspeditën gjermane të kësaj vere. Me këtë stimul është kthyer pas shumë kohësh në kombëtare edhe Rey Manaj, falë golave të shumtë që ka shënuar rregullisht në Turqi, ku luan. Ai ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe nuk i ka fshehur ambiciet për të qenë në finalet e Europianit, edhe pse ka munguar në krejt fushatën eliminatore.

Si e gjete atmosferën në kombëtare, tani që je kthyer pas një periudhe të gjatë?
Ekipin e gjej shumë mirë, është emocion të rikthehesh me fanellën kuqezi. Besoj të gjithë lojtarët janë të motivuar për Europianin, tifozët dhe familjet shqiptare e presin shumë këtë.

 Jeni ndër lojtarët me më shumë minuta aktivizim në klubin tënd, po ashtu ke shënuar rregullisht. A e sheh veten pjesë e listës për në Europian?
Kemi folur me trajnerin, të gjithë lojtarët duhet ta tregojnë veten në këto ndeshje miqësore dhe stërvitje. Pastaj, se kush e meriton të jetë në Gjermani, e vendos Sylvinho me stafin e tij.

Cilat kanë qenë problemet tuaja në harkun e kësaj periudhe larg kombëtares?
Sezoni i kaluar ishte i vështirë dhe pata një dëmtim. Më pas u dëmtova sërish, sepse u riktheva para kohe në fushë. Kjo më kushtoi edhe 6 muaj mungesë. Tani jam në top-formë, personalisht mendoj se jam gati për Europianin.

Ky është grumbullimi yt i parë në kombëtare me Sylvinho në stol. A ke ruajtur gol edhe për fanellën kuqezi?
Kam folur me trajnerin, ai më ka takuar. Ky është grumbullimi im i parë me Sylvinho në stol. Unë para se të shoh zgjedhjet e tjerëve, shoh veten time, e dija se nuk isha gati në të shkuarën. Tani kam rastin për ta treguar veten në miqësore.

Je sulmuesi shqiptar më në formë për momentin, cili është çelësi?
Atë nuk e di, por kur një lojtar pëson dëmtim të rëndë duhet të fokusohet shumë dhe të stëvitet. Të gjeja formën ishte kryesore, duhet të kesh besimin e duhur. Duhet të jesh i fortë mentalisht. Besoja se ftesa e kombëtares do të vinte po të luaja mirë. Këto miqësore janë mundësi e mirë për të treguar vlerat e mia.

Atmosferën nga tifozët në Parma, si e pret?
Besoj se stadiumi do të mbushet, kërkesat janë të larta. Tifozët na kanë mbështetur gjithmonë dhe kudo.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit