Guardiola: Dje e pashë sërish finalen e Stambollit, Interi është edhe më i fortë tani

17 Shtator 2024
14:03
Alfred Lleshi
back button

15 muaj pas finales në Stamboll, Manchester City dhe Interi rikthehen për t’u përballur në xhiron e parë të Ligës së re të Kampionëve. “Unë ju thashë në atë kohë sa të fortë ishin zikaltrit, tani më besoni, – filloi Pep Guardiola në konferencën e zakonshme për shtyp, para ndeshjes.

– Dje e pashë përsëri finalen e Stambollit për herë të parë. Më kujtohet se ishte një ndeshje shumë e ngushtë, me Interin që pati dy raste shumë të qarta. Ne patëm vetëm një rast me Foden, pas golit të Rodrit, por tani Interi është edhe më i fortë në Itali”. Më pas një batutë edhe për kolegun e tij Inzaghi: “Simone është një trajner i shkëlqyer”.

Si do të ndryshojë Champions League me formatin e ri?
Duhet të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas ato në vijim. Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Duhet ta fillojmë mirë në shtëpi, do të përpiqemi ta nisim mbarë edicionin e ri.

Çfarë ndryshon fakti që duhet të luajnë fazën e grupeve të Champions-it edhe në janar?
Unë nuk mendoj për këtë, nuk mendoj për janarin apo shkurtin. Duhet të mendojmë për ndeshjet tani, duke filluar nga ndeshja e së mërkurës. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, në futbollin modern duhet të mendosh për të tashmen.

Cili është kujtimi juaj më i bukur nga finalja e Stambollit?
Ishte një mbrëmje e bukur, një ndeshje e vështirë. Ne luajtëm pjesën e dytë më mirë se në të parën, goli erdhi, tifozët tanë u lumturuan. Ishte vërtet i bukur.

Çfarë do të duhet të bëjnë lojtarët tuaj?
Ata duhet ta dinë se çfarë të bëjnë, duhet ta rregullojmë mbrojtjen, sepse mënyra e të sulmuarit zikaltër është e vështirë për t’u kontrolluar. Është ndeshja e parë, duhet të jemi lart në nivel taktik, në lidhje me objektivat tona.

De Bruyne e nisi shumë mirë sezonin, si është tani?
Sezoni fillon tani, por ndeshjet e para kanë qenë shumë pozitive. Ne do të kemi shumë konkurrencë në ndeshjet e ardhshme, unë jam i kënaqur me të. De Bruyne është një lojtar shumë i fortë, morali i tij i shkëlqyer.

Kur të kthehet Foden, a do të luajë më shumë?
Patjetër që do të ketë më shumë konkurrencë në ekipin tim në atë moment, do të zgjedh se kush është më i gatshëm për të luajtur. Më duhet të zgjedh kështu, bazuar në paraqitjet e secilit.

Haaland mund të mposhtë Ronaldon si lojtari më i shpejtë që arrin 50 gola…
Ai është një lojtar fantastik, mendoj se do të ishte diçka e mrekullueshme po e arriti ndaj Interit këtë gjë. Gjithashtu mendoj se do të bëhet gjithnjë e më i mirë me rritjen e numrit të ndeshjeve që luan.

A jeni i impresionuar nga aftësia e tij për të shënuar?
Kam luajtur profesionalisht dhe do të kem shënuar gjithsej 16 gola, ai është 9 gola në 4 ndeshje tani. Ka pak për të thënë më shumë se kaq. Ai është mirë, ndihet mirë këtu. Gjithçka varet nga mënyra se si do të shkojnë ndeshjet e ardhshme. Gjithmonë shënon më shumë se një gol për ndeshje në krahasim me sezonin e kaluar.

A keni frikë se kundërshtarët zikaltër mund të ndërtojnë një “kafaz” për ju?
Nëse kjo ndodh, ne do të përpiqemi ta kapërcejmë këtë problem. Është normale që ata të përpiqen të na ndalojnë, por ne do të përpiqemi të krijojmë një sistem që na çon te goli.

Cila është cilësia më e mirë e Interit?
Është një ekip historik, me mentalitet të jashtëzakonshëm. Ata janë mësuar të fitojnë, e kanë këtë lloj mentaliteti dhe janë gjithashtu të aftë të vuajnë. Zikaltrit janë fizikisht të fortë, kanë cilësi të shkëlqyera individuale në ndërtimin e lojës nga fundi. Calhanoglu, Acerbi, sidomos Barella…; është një ekip i kompletuar, i cili mund të fitojë kampionatin Italian. Ka ruajtur strukturën e finales së Ligës së Kampionëve në Stamboll.

A prisni një Inter të egër si në Stamboll?
Po, por e prisja tashmë të tillë që në Stamboll. Mediat menduan se do të ishim favoritë absolutë, por e dija sa të fortë ishin zikaltrit. Dikush hodhi monedhën, por ne fituam. Kësaj here, megjithatë, do të jetë një ndeshje tjetër. Një finale është diçka tjetër në krahasim me fazën e grupit, do të përpiqemi të luajmë lojën tonë.

A është Lautaro në nivelin e “Topit të Artë”?
Po, ndoshta. Sidoqoftë, shpresoj që një lojtar nga skuadra jonë ta fitojë atë këtë vit. Lautaro është një sulmues i jashtëzakonshëm, di të shënojë, të bëjë shumë gjëra. Ai është kapiten i Interit, luan për kampionen e botës, Argjentinën. Ju duhet të jeni një lojtar i veçantë për t’i bërë të tilla gjëra.

A është Interi një ekip që mund të rikthehet për të garuar dhe fituar Ligën e Kampionëve?
Po.

Krahasuar me finalen e Stambollit, qendërsulmuesi i Interit ka ndryshuar. Çfarë lloj lojtari është Thuram?
Ai shkon pak më shumë në hapësirë ​​se Dzeko dhe Lukaku, është shumë i fortë dhe ka formuar një çift shumë të bukur me Lautaron.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit