Erling Haaland është gati të kthehet në fushë me Manchester City, për të ndërprerë serinë e 4 humbjeve radhazi. Në një intervistë për “Sky Sports UK”, norvegjezi theksoi rëndësinë e Pep Guardiolës dhe aftësinë e tij për ta udhëhequr skuadrën edhe në momente të vështira:
“Ai është i qetë. Lojtarët thjesht duhet të japin më të mirën, sepse trajneri kërkon shumë nga ne. Ai na kërkon të japim maksimumin në çdo stërvitje dhe çdo ndeshje, kjo është ajo që duhet të bëjmë. Pep ka besimin tim të plotë. Nëse më thotë diçka, është më mirë ta bëj, sepse ai e di çfarë është më e mira për të gjithë ne. Jam i sigurt që edhe tani do të gjejë zgjidhje”.
Haaland e vlerësoi Guardiolën me fjalë domethënëse: “Është pikërisht ashtu siç e prisja; trajneri më i mirë në botë. Ndoshta trajneri më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë. Prisja shumë nga ai, edhe Pep më ka dhënë maksimumin çdo sekondë. Ai kërkon gjithmonë perfeksionin, edhe pse perfeksioni nuk ekziston. Në fund, ajo që ka rëndësi është të fitosh trofe”.