“Sezonin e kaluar isha një nga lojtarët me më shumë minuta te Manchester City, por në fund të fundit nuk më pëlqen të mbetem jashtë ndeshjeve të mëdha. A dëshiroj të japë më shumë kontribut? Do të gjej kohë të mendoj mbi atë që dua për veten time, do të flas pas Olimpiadës”.
Mendimet dhe fjalët janë të Julian Alvarez, sulmuesit të Argjentinës dhe mbi të gjitha të Manchester City, i cili për këtë arsye duket se dëshiron të largohet nga klubi anglez në merkaton e verës, duke konfirmuar faktikisht thashethemet që kanë dalë javët e fundit.
Në këto orë, duke folur në një konferencë për shtyp direkt nga Orlando, ku skuadra e tij është e angazhuar në turneun parasezonal të SHBA, ka mbërritur përgjigja e Pep Guardiola: “Vendimi përfundimtar i takon vetëm atij. Alvarez dëshiron të luajë në ndeshjet e rëndësishme, por si ai e duan këtë gjë edhe 18-19 lojtarë të tjerë të ekipit.
Ai tha se do ta mendojë pas Olimpiadës? Kur të ketë mbaruar së menduari për këtë, agjenti i tij do të telefonojë Txiki (Begiristain, drejtori sportiv i Manchester City) dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndërkohë le ta lëmë të reflektojë për të ardhmen e tij”.







