Guardiola: Mos më pyesni pse rinovoba, ndjeva që nuk mund të largohesha tani nga City

22 Nëntor 2024
8:58
Alfred Lleshi
back button

Pas deklaratave të para, faqja zyrtare e Manchester City publikoi intervistën e plotë me Pep Guardiolën, trajnerin e “Sky Blues”, i cili rinovoi kontratën deri në vitin 2027: “Ndjeva që nuk mund të largohesha tani, ishte thjesht kështu. Mos më pyesni pse. Ndoshta katër humbjet e fundit radhazi ishin arsyeja dhe ndjeva që nuk mund të ikja. Ndjeva që klubi ende më dëshironte, ose ndoshta ishte fakti që ishim ende bashkë, dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të rinovojmë”.

Vetëm McDowall ka më shumë ndeshje se ju si trajner i City. Çfarë mendoni për këtë?
Para së gjithash, kjo ndodh sepse kemi fituar shumë; përndryshe nuk qëndron për 11 vite në asnjë klub, madje as këtu, në një klub ku ndihem i dashur. Kjo punë është biznes; duhet të fitosh dhe të kesh kontratë. E di shumë mirë që, nëse nuk fiton, ndoshta nuk do të vazhdosh. Është një çështje ndjesish. Kur të vijë momenti që do të ndjej se gjithçka ka përfunduar, klubi do ta dijë, por ai moment nuk ka ardhur ende. Më pëlqen të jem këtu, më pëlqen puna ime dhe të jem trajner i këtij klubi. E kam thënë shpesh, për vite me radhë: kur të vijë momenti që nuk do ta ndjej më këtë lidhje, edhe nëse jam nën kontratë, do të telefonoj presidentin dhe CEO-n dhe do t’iu them: Për të mirën e klubit, më mirë të largohem. Tani për tani nuk kam atë ndjesi, kjo është arsyeja pse vendosa të qëndroj edhe pak më gjatë.

Cilat janë arsyet e suksesit të Manchester City?
Mendoj se stabiliteti në drejtim është i jashtëzakonshëm. Klubi është jashtëzakonisht i qëndrueshëm në shumë departamente, të gjithë e dinë cilësinë e lojtarëve që kemi pasur gjatë kësaj dekade. Nuk e harroj sezonin tim të parë këtu dhe lojtarët që kisha atëherë, të cilët më ndihmuan shumë për të kuptuar klubin, ekipin, Premier League dhe shumë gjëra të tjera. Të gjithë kanë qenë të përfshirë. Nuk mendoj se ka një arsye të vetme për suksesin tonë. Ka shumë arsye që, së bashku, na kanë çuar drejt rezultateve të shumta pozitive.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit