Guardiola: Mos prisni befasi taktike, ja si do ta sfidojmë Real Madridin

31 Korrik 2020
12:06
Alfred Lleshi
back button

Fushata e Manchester City rinis më 7 gusht, kur të ndeshet me Real Madridin në ndeshjen e kthimit të 1/8 finale të Champions-it. “Qytetarët” e fituan ndeshjen e parë në Madrid, 2-1, para se pandemia e koronavirusit ta fuste edhe futbollin në karantinë. Pavarësisht epërsisë, Guardiola nuk po merr asgjë si të mirëqenë, kur vjen fjala për kualifikimin: “Ne nuk duhet të mendojmë shumë për avantazhin që kemi. E dimë se është një avantazh i tillë në rezultat, por nëse ka një që mund ta përmbysë atë, janë ekipe të shkëlqyera si Real Madridi, Barcelona apo Bayern. Ato i njohin mirë këto gara dhe dinë si t’i luajnë.

Nuk do të bëjmë ndonjë ndryshim taktik apo gjë tjetër për të befasuar Real Madridin, sepse ata e dinë se si luajmë ne. Objektivi i vetëm që kam në ditët e ardhshme është që t’i bind lojtarët të hyjnë në fushë për të luajtur futboll, pa tifozët tanë në stadium. Do t’iu kërkoj mbrohen kur duhet të mbrojnë, të lëvizin sa më shumë, të vrapojnë, të inkurajojnë njëri-tjetrin, të sulmojnë dhe të shënojnë. Gjërat janë kaq të thjeshta, skuadra ime duhet t’i bëjë këto. Kjo është ajo që dua edhe në këtë ndeshje”.

Duke folur për atë që do të thoshte fitimi i Ligës së Kampionëve me Manchester City, më në fund, Guardiola tha: “Nuk e di se çfarë do të ndjej, kur nuk ka ndodhur akoma. Unë e provova vitin e parë, në të dytin, në të tretin dhe të katërtin. Nëse jam i përfshirë në të, po përpiqem ta fitoj sërish me Manchester City. Nëse nuk e fitoj Champions-in, nuk do ta quaja dështim. Sidoqoftë, gjëja e rëndësishme është të provosh. Unë e kam fituar atë në të kaluarën, sepse kam pasur klube të jashtëzakonshme dhe lojtarë të pabesueshëm. Nuk na mungon gjë as këtu, prandaj dua të besoj se do ta fitoj këtë trofe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit