Ai ishte larguar nga Manchester City si lojtar i lirë vetëm dy javë pasi udhëhoqi, si kapiten, skuadrën e Guardiolës drejt fitimit të Ligës së parë të Kampionëve në historinë e saj dhe tripletën legjendare. 14 muaj më vonë, Ilkay Gundogan i thotë lamtumirë Barcelonës, i kushtëzuar nga problemet e zakonshme financiare të klubit katalanas, dhe kthehet në “shtëpi”.
Këto janë fjalët e mesfushorit gjerman, në intervistën e tij të parë zyrtare të fazës së dytë te Manchester City: “Jam tepër i lumtur. I lumtur që shoh sërish shokët e skuadrës, stafin, njerëzit me të cilët kam kaluar momente fantastike, momente të suksesit për 7 vite. Ka qenë një periudhë me arritje shumë të larta, edhe disa ulje, por në përgjithësi, një përvojë e jashtëzakonshme.
Kur largohesh nga ky klub, si unë vitin e kaluar, fillon ta vlerësosh edhe më shumë. Ti e kupton se çfarë kishe. E kupton sa e mrekullueshme ishte ajo kohë. E kupton sa i madh është ky klub, klubi më i mirë në botë. Rikthimi pas një viti është ndjenjë e pabesueshme, ndihem shumë i lumtur. Jam shumë i lumtur, ndihem i privilegjuar të ndaj sërish dhomën e zhveshjes me këta lojtarë të jashtëzakonshëm”.
Për Guardiolën: “Taktikisht, ai është një gjeni. Pep ka zgjidhje për çdo situatë, për gjithçka që mund të ndodhë në fushë. Ai mund t’ju japë një zgjidhje në një kohë shumë të shkurtër. Për më tepër, unë mendoj se menaxhimi i një dhome të madhe zhveshjeje nuk është e lehtë. Këtu ka shumë personalitete, shumë lojtarë ambiciozë që duan të jenë gjithmonë titullarë”.