Ilkay Gündogan është entuziast për trajnerin e ri të Bayern Munich, Vincent Kompany. Në intervistën e dhënë për “Der Spiegel”, ish-mesfushori i Mançester Citi, aktualisht te Barcelona, ka shfrytëzuar rastin për të treguar se çfarë e pret e ardhmja kur të detyrohet të varë këpucët.
Pasi ka luajtur së bashku me Vincent Kompany për “citizens”, 33-vjeçari gjerman nuk e kishte problem të përshkruante cilësitë e tij: “E veçanta e Vincent ishte origjinaliteti i tij. Lojtarët e kuptojnë menjëherë nëse një kapiten është i sinqertë me veten, të tjerët dhe me ekipin e tij”, tha Gündogan.
Gundogan beson se edhe Kompany do të ketë sukses ashtu sikurse Xabi Alonso, ndërkohë që edhe vetë synon të ndjekë gjurmët e tyre pasi të lërë futbollin: “Dua të jem një trajner që di të ndjejë empati me lojtarët e tij, por që ka edhe inteligjencë futbolli. Do të doja të kisha një rrugë të ngjashme me atë të Xabi Alonso në Leverkusen”.
Duke zbuluar një detaj për stilin e trajnerit Xabi Alonso, ai sqaron: “E takova në Mançester teksa po vëzhgonte Pep. Më dha përshtypjen e një personi shumë të këndshëm, autentik, i cili gjithashtu i komunikon një plan të qartë ekipit të tij. Njoh elemente të filozofisë së Pep, por edhe idetë e tij, ndaj kjo më ngjall respekt”.