Ylli i Manchester City-t, Josko Gvardiol, zbuloi pse hodhi poshtë mundësinë për të ekzekutuar një penallti kundër Fulhamit dhe të realizonte një tregolësh historik.
Gvardiol ka qenë në formë të jashtëzakonshme para portës, duke ndihmuar City-n t’i afrohet titullit të katërt radhazi në Premier League.
Mbrojtësi ka shënuar pesë herë në shtatë ndeshjet e tij të fundit, duke përfshirë dy në fitoren 4-0 kundër Fulham-it.
Megjithatë, kur iu dha mundësia për të shënuar një të tretë nga pika e bardhë, ish-lojtari i Leipzig ia kaloi përgjegjësinë Julian Alvarez-it.
Duke bërë këtë, kroati hoqi dorë nga mundësia për t’u bërë mbrojtësi i parë që realizon një tregolësh në historinë e Premier League.
Duke folur për TNT Sport për momentin, ai tha: “Dy gola të tjerë, jam i lumtur. Sigurisht, edhe për faktin se nuk pësuam gol. Ne po diskutonim që ta gjuaja unë penalltinë.
“Unë thashë sigurisht që do të doja ta gjuaja, por ne e dimë se kush është ekzekutuesi i penalltive. Kështu që në fund e gjuajti Julian dhe unë jam i lumtur që ai shënoi”.