Haaland gabon edhe nga penalltia, vazhdon “mallkimi” për Manchester City

26 Dhjetor 2024
15:25
Alfred Lleshi
back button

“Boxing Day” në Premier League nisi me përballjen në shtëpi të Manchester City, skuadrës kampione në fuqi, e cila ndodhet në një krizë të thellë. “Qytetarët” prisnin Evertonin e Armando Brojës, i cili nuk ishte përfshirë në formacionin titullar të mysafirëve, por u hodh në fushë në minutën e 70-të, në vend të Dominic Calvert-Lewin.

Ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola gjendet në një krizë të thellë dhe kërkonte dëshpërimisht të kthehej te fitorja pas dy humbjeve radhazi ndaj Manchester United dhe Aston Villa. Pjesa e parë ishte e luftuar dhe u mbyll me barazimin 1-1. Vendësit kaluan në epërsi me golin e Bernardo Silva në minutën e 14-të, ndërsa Evertoni barazoi falë golit të Ndiaye në minutën e 36-të. Pas pushimit mes dy pjesëve, skuadrat u kthyen në fushë pa ndryshime në përbërje.

Fatale për Haaland ishin dy rastet ideale për gol me nisjen e fraksionit të dytë. Në 49′, sulmuesi norvegjez nuk arriti të përfitonte nga një krosim i shkëlqyer i Savinho. Goditja me kokë e tij rezultoi e paefektshme, duke mos rrezikuar portën e Evertonit. Paksa më pas, në 53’, Haaland dështoi edhe nga pika e bardhë, duke shpërdoruar penalltinë.

Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz që luajnë futboll dhe teksti

Jordan Pickford lexoi drejtimin e gjuajtjes dhe e ndali topin. Manchester City u përpoq ta vazhdonte aksionin dhe Haaland shënoi me kokë pranë shtyllës së dytë. Megjithatë, gëzimi zgjati pak, pasi ndihmësi i gjyqtarit kryesor ngrit flamurin, duke sinjalizuar pozicion jashtë loje.

Me një distancë prej 11 pikësh për momentin nga Liverpool-i kryesues, që ka një ndeshje më pak dhe do ta luajë ndeshjen e javës së 17-të më vonë, sot në mbrëmje, Manchester City duket se e ka të vështirë ta mbrojë titullin e fituar sezonin e kaluar. Synimi minimal tani është kualifikimi për në Champions League.

Aktualisht, City ndodhet 3 pikë larg nga vendi i katërt, i cili mbahet nga Nottingham Forest. Rikuperimi i distancave të krijuara nuk filloi dot as sot, tashmë janë bërë 13 ndeshje radhazi pa fitore. Duket si mallkim për “qytetarët” e prekur nga dëmtimet e shumta, me të cilët nuk qenka as fati.

Klasifikimi për Manchester City nuk është aspak premtues. Skuadra e Guardiolës ndodhet në vendin e gjashtë për momentin, me 28 pikë. Bilanci deri tani është: 8 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje. Kjo situatë kërkon kthesë të shpejtë për të shmangur një sezon të dështuar.

Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz që luajnë futboll, persona që luajnë futboll dhe teksti

Lajme të tjera

Lajmet e fundit