Haaland ia rrëmbeu Guardiola, tërbohet Real Madridi. Tashmë, gjithçka për Mbappe

11 Maj 2022
8:43
Alfred Lleshi
back button

Njoftimi zyrtar i nënshkrimit të Erling Haaland me Manchester City, pas arritjes së marrëveshjes me Borussia Dortmund, e lë Real Madridin me vetëm një alternativë për ta përforcuar sulmin me një galaktik për sezonin e ardhshëm: Kylian Mbappe.

Klubi i bardhë e kishte sulmuesin norvegjez mes synimeve të tij afatgjata dhe për disa javë brenda entitetit madrilen nuk përjashtohej mundësia e inkorporimit të dy sulmuesve këtë verë, nëse tashmë ish-lojtari i Dortmundit do të ndryshonte mjedis këtë verë, edhe pse gjithmonë objektiv madhor ka qenë francezi i PSG.

Megjithatë, Real Madridi është parë gjithmonë pas Manchester City në garën për nënshkrimin e Haaland. Më në fund, “qytetarët” e binduën norvegjezin me projektin e tyre sportiv dhe ofertën stratosferike ekonomike. Ata e fituan “ankandin” ndaj një Real Madridi shumë më të fokusuar te Kylian Mbappe dhe Antonio Rüdiger.

Ndërsa Guardiola tashmë ka “qershinë mbi torte” për projektin, që të fitojë më në fund Ligën e Kampionëve të shumëpritur, Real Madridi është ende në pritje që Kylian Mbappé të konfirmojë dëshirën e tij për t’u veshur i bardhë sapo të përfundojë ky sezon.

Te PSG vazhdojnë të bëjnë presion që lojtari i tyre ekskluziv të rinovojë kontratën, që skadon muajin e ardhshëm dhe të vazhdojë në “Parc des Princes”. Klubi në pronësi të sheikëve nga Katari ka provuar formula të ndryshme për ta joshur Mbappen, nga një kontratë e shkurtër 2-vjeçare deri te një bonus astronomik rinovimi prej afro 150 milionë eurosh.

Ndërkohë, te Real Madridi ka besim dhe optimizëm të përhapur në lidhje me ardhjen e Mbappe. Verën e kaluar, klubi i bardhë i paraqiti PSG-së dy oferta prej 180 dhe 200 milionë euro në ditët e fundit të merkatos, por mori heshtje si përgjigje nga bosët e Katarit.

Familja dhe rrethi i futbollistit pohojnë se të dyja mundësitë (rinovimi ose shkuarja në Madrid) janë ende të hapura, duke pritur për të shpallur vendimin përfundimtar pas muajsh reflektimi. Ndërkohë, vetë Mbappé luan në mungesë. Të hënën ai u pa në Madrid së bashku me disa nga shokët e tij të PSG-së (mes tyre Achraf Hakimi dhe Sergio Ramos), duke nxitur lloj-lloj spekulimesh, ndonëse më në fund u mësua se ishte në dy restorante dhe se nuk kishte asnjë kontakt me përfaqësuesit e Realit.

Koha e pritjes hyn në shtrirjen e saj përfundimtare, me Real Madridin e bindur për mundësitë e tij dhe PSG-në që nxiton me opsionet e fundit për ta bindur Mbappe, i cili nuk do të prononcohet publikisht për të ardhmen e tij deri pas mbylljes së Ligue 1 më 21 maj.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit