Piloti britanik Lewis Hamilton do të garojë me Ferrari vitin tjetër në Formula 1, duke braktisuar makinën Mercedes, me të cilën bëri historinë. Drejtori sportiv i Mercedes, Toto Wolff, nuk është aspak xheloz për këtë lëvizje, madje ai beson se 7 herë kampioni i botës mund të shpallet kampion me “kokëkuqen”.
“Nëse Ferrari mund t’i japë Lewis një makinë konkurruese, ai mund të fitojë një kampionat botëror, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Madje ai mund ta mposhtë Leclerc, pasi ka më shumë përvojë, grintë dhe di si të menaxhojë momentet vendimtare të një sezoni”, u shpreh Toto Wolff.
“Unë gjithmonë do të kem një marrëdhënie personale me Lewis dhe do të shikoj prapa në momentet e shkëlqyera, profesionale dhe personale. Kur Lewis të transferohet te Ferrari, ai do të bëhet kundërshtar, por unë do t’i uroj gjithmonë ditë të lumtura”, shtoi drejtuesi i Mercedes.
“Fillimisht ai më tha se do të qëndronte, më pas vendosi të shkonte. Por njerëzit ndryshojnë mendje dhe gjithashtu rrethanat ndryshojnë. Opinionet duhet të respektohen dhe unë nuk kam asnjë inat ndaj tij, përkundrazi, i uroj më të mirë”, deklaroi Toto Wolff.