Hansi Flick nuk e ndryshon formacionin fitues, ka vetëm një dilemë para “El Clasico”

26 Tetor 2024
11:38
Alfred Lleshi
back button

Kur Hansi Flick kishte vetëm disa ditë trajner i Barçës, ai u pyet mbi aftësinë e ekipit të tij për të synuar titullin e La Liga-s karshi një Real Madridi, potenciali i të cilit, tashmë i dukshëm, ishte rritur në mënyrë eksponenciale falë nënshkrimit të Mbappe.

Gjermani u përgjigj me sensin e tij të zakonshëm, atë që shfaq në çdo konferencë shtypi: “Janë vetëm dy ndeshje direkte me Real Madridin, duhet të luajmë edhe shumë të tjera”. Ai shtoi se “çdo ndeshje është sfidë më vete, që na lejon të ecim përpara”.

Kështu ka ndodhur deri më sot, sepse Barça vjen si kryesuese e La Liga-s në klasiken e parë zyrtare të sezonit, duke pësuar vetëm një humbje në kampionat, në Pamplona. E megjithatë, në këta muajt e parë, Flick ka mundur të perceptojë se kjo, sado që numerikisht vlen 3 pikë, nuk është thjesht një ndeshje si të tjerat.

Flick e drejtoi seancën stërvitore para duelit në “Bernabeu” në një atmosferë entuziaste, diçka që tregon se për trajnerin gjerman nuk ndryshon asgjë. Në fakt, gjithçka tregon se formacioni startues që do të prezantojë kundër “Los Blancos” mund të jetë pikërisht i njëjti që mposhti thellë Bayern Munich të mërkurën, në Champions League.

Alineaciones probables del Real Madrid - FC Barcelona de LaLiga

Paraqitja e shkëlqyer blaugrana në mesjavë e shtyn trajnerin të mos prekë shumë gjëra në 11-shen titullare. Arsyeja e shëndoshë sportive e ka dominuar mënyrën se si menaxhohet skuadra e Hansit deri më sot.

Kjo është arsyeja pse Iñaki Peña vazhdon të mbrojë portën, pavarësisht ardhjes së Szczesny, dhe këtë do ta bëjë edhe kundër Real Madridit. Portieri nga Alicante do të shoqërohet në mbrojtje nga një linjë prej katër vetash, e përbërë nga Koundé, Cubarsí, Iñigo Martinez dhe Balde.

Në mesfushë, dy futbollistë e kanë të sigurt vendin e tyre, përveç ndonjë surprize të madhe. Këta janë Casadó, i cili përfundimisht ka “doktoruar” kundër Bayernit me një lojë të shkëlqyer, dhe Pedri, i cili po kalon momentin e tij më të mirë që kur ka ardhur te Barça.

Dyshimi i vetëm është te mesfushori i tretë. Fermín López tregoi në Champions League se është gati për çdo sfidë dhe e nis si favorit, por në sfond shfaqen Dani Olmo dhe De Jong, rikthimi i të cilëve në ekip po bëhet progresivisht.

Sulmi nuk ofron asnjë dilemë, sepse Lamine Yamal, Lewandowski dhe Raphinha janë sot tresheja më e mirë sulmuese në Europë. Prania e tyre është e garantuar në formacionin startues blaugrana.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit