Harry Kane: Të gjithë prisnin të shihnin reagimin tonë, ishte mbrëmje perfekte

6 Mars 2024
10:15
Alfred Lleshi
back button

Harry Kane, sulmuesi i Bayern Munich, ka qenë sërish protagonist absolut i ndeshjes së mbrëmshme të bavarezëve. Në suksesin 3-0 kundër Lazios, në ndeshjen e dytë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, anglezi shënoi dopietë.

Duke folur për “BBC5Live”, kapiteni i “Tre Luanëve” nënvizoi mes të tjerash: “Ishte një mbrëmje perfekte për ne, zhvilluam një ndeshje të mrekullueshme. Vinim me disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë, por nuk u dekurajuam. Bëmë një paraqitje të jashtëzakonshme, përmbysëm disavantazhin dhe siguruam çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Dy golat e mi? I pari ka të bëjë thjesht me hyrjen e fortë në zonën e penalltisë, ne kishim folur për këtë gjatë gjithë javës. Për golin e dytë mora gjithë kohën që më duhej për të finalizuar me këmbën e majtë. Ishte mirë të shihja se si e ndërtuam aksionin.

Mendoj se ky ishte një moment vërtet i rëndësishëm i sezonit tonë. Të gjithë po na shikonin, donin të shihnin se si do të reagonim pas ndeshjes së parë. Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme nga të gjithë. Me topin, pa topin, energjia që përcollëm në fushë ishte vërtet e rëndësishme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit