“Hat-trick” i Karim Adeyemi ndaj Celtic i mundësoi sulmuesit të Borussia Dortmund të kontribuojë në fitoren 7-1 të verdhezinjve, por edhe të arrijë 10 gola në Champions League. Lojtari i lindur në vitin 2002 u bë kështu futbollisti i parë gjerman në histori që arrin shifra të dyfishta në garat europiane përpara se të mbushë 23 vjeç.
Portieri i skocezëve është Kasper Schmeichel, i cili u detyrua ta nxirrte plot 7 herë topin nga rrjeta e vet. Pas ndeshjes, babai i tij Peter, i cili tani punon për “CBS Sports”, ka bërë shaka me sulmuesin gjerman: “Nuk do ta harroj kurrë atë që i bëre djalit tim. Në fund të ndeshjes fola me Kasper. I thashë: Ishte një ditë e keqe, por ji lider dhe ndihmo shokët e skuadrës të rikuperohen pas këtij 7-1”.