Havertz krahason veten me Kane dhe Haaland: “Bëjmë të njëjtën gjë”

1 Qershor 2024
20:30
Denis Hakanaj
back button

Kai Havertz pohoi se është gati të jetë zgjedhja e parë në rolin e numrit 9 tek Arsenal dhe Gjermania pas një sezoni mbresëlënës debutues në Emirates Stadium.

Futbollisti gjerman kishte një fillim të vështirë pasi u transferua tek Arsenal nga Chelsea verën e kaluar.

Megjithatë, ai ngadalë gjeti rrugën e tij në vazhdim të sezonit dhe e mbylli duke shënuar 14 gola në 51 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe duke dhënë shtatë asiste.

Pas një sezoni debutues mbresëlënës nën drejtimin e Mikel Arteta-s, Havertz tani ka besim se do të ndihmojë kombëtaren e tij në Euro 2024.

Sulmuesi pretendoi se është gati të jetë sulmuesi kryesor i Gjermanisë, megjithëse nuk e sheh veten si një numër 9 tradicional.

Ai madje citoi shembujt e Erling Haaland dhe Harry Kane duke shpjeguar se si ka evoluar roli i një sulmuesi në futbollin modern.

Duke folur për Welt am Sonntag, 24-vjeçari tha: “Unë e shoh qartë veten si numri 9 në ekipin kombëtar – dhe këtë bëj tek Arsenal-i. Por nuk e kam fjalën për një nëntë klasike.

“Ku i shikon tjetër? Edhe Erling Haaland apo Harry Kane, për të cilët të shkon menjëherë mendja, nuk qëndrojnë vetëm në zonën e rreptësisë dhe presin të finalizojnë. Lojtarët që presin në zonë nuk ekzistojnë më në futbollin modern.

“Unë jam lojtar që kënaqem duke lëshuar veten dhe duke bërë vrapime të thella. Por është gjithashtu e qartë për mua se do të matem me golat që do të shënoj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit