Holanda debutoi me fitore në Euro 2024, pas triumfit 2-1 ndaj Polonisë. Një sukses me përmbysje për “tulipanët” që erdhi në minutën e 83-të, falë golit të sulmuesit Wout Weghorst, që u kthye në një hero për holandezët.
“Në pjesën e parë ne dominuam në fushë dhe ishim ekipi më i mirë. Krijuam gjashtë apo shtatë raste të shkëlqyera. Duhet të jemi më të saktë, por nuk e bëmë dhe vuajtëm disi, por në fund ia dolëm mbanë”, tha Weghorst.
“Familja ishte këtu në stadium, kështu që ishte një ndjenjë e pabesueshme që shënova dhe i dhashë tre pikët ekipit tim. Mund të duket e çuditshme, por para ndeshjes i thashë partneres sime se do të aktivizohesha, do të shënoja dhe do t’i jepja fitoren Holandës. Dhe ashtu doli”, u shpreh Weghorst.