Hidhet shorti i 1/8 finale të Ligës së Europës. Roma “peshkon” De Zerbin, Milani eviton “ferrin”

23 Shkurt 2024
12:33
Alfred Lleshi
back button

U hodh mesditën e sotme shorti i 1/8 finale të Ligës së Europës, kompeticionit të dytë për nag rëndësia në futbollin kontinental të klubeve. Goglat u përzien nga ambasadori i finales së Dublinit, John O’ Shea. Ish-mbrojtësi i Manchester United, ndër të tjera, zbuloi me duart e tij përballjet e këtij raundi, të cilat janë të zjarrta dhe me pritshmëri të mëdha, sepse tashmë nuk ka më sfida të lehta.

Ja 8 përballjet e këtij raundi:
Freiburg–West Ham
Benfica-Rangers
Roma-Brighton
Olimpique Marseille-Villarreal
Sparta Pragë-Liverpool
Sporting CP – Atalanta
Milan – Slavia Praga
Bayer Leverkusen – Qarabag

Mund të jetë një imazh i futboll dhe teksti që thotë "UEFA EUROPA LEAGUE ROUND OF 16 DRAW Liverpool vs. Sparta Praha Villarreal vs. Marseille Brighton vS. AS Roma Rangers Benfica WESTHAM West Ham Freiburg Atalanta Sporting Slavia Praha Vാം AC Milan Leverkusen Qarabağ"

Sikurse duket, janë evituar përplasjet e mëdha, ato të konsideruara si “ferri”, të tilla si Liverpool-Milan-Roma- Leverkusen etj. Megjithatë, verdhekuqtë e De Rossit kanë “peshkuar” Brighton e një trajnerit italian, De Zerbi. Fituesit e këtij raundi do të shkojnë në çerekfinale, me shortin përkatës që është caktuar të premten e 15 marsit. Humbësit e 1/8 finale do të dalin jashtë Evropës për sezonin aktual.

9 kombe janë të përfaqësuara ende në këtë kompeticion, teksa kryesojnë Italia dhe Anglia me nga 3 skuadra (Atalanta, Milan dhe Roma në njërën anë; Brighton, Liverpool dhe West Ham në anën tjetër). Ato pasohen nga Çekia (Slavia Pragë dhe Sparta Pragë), Gjermania (Bayer Leverkusen dhe Freiburg) dhe Portugalia (Benfica dhe Sporting CP).

Sikurse dihet, finalja e “Europa League” do të luhet në stadiumin “Aviva” të Dublinit më 22 maj. Kjo është hera e dytë që ky objekt sportiv pret një finale të turneut të dytë kontinental, pas finales së vitit 2011, të fituar nga Porto ndaj Bragës. Datat e zhvillimit të ndeshjeve të 1/8 finale të “Europa League” janë këto: më 7 mars (vajtje) dhe 14 mars (kthimi).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit