“Hirushja” e Champions-it / Mundi Real Madridin në “Bernabeu”, por kushton më pak sesa paga e Bale

18 Tetor 2021
9:10
Alfred Lleshi
back button

“Unë e di se Liga e Kampionëve është një garë për skuadrat që fitojnë kampionatet e tyre, por skuadrat si Sherif Tiraspol nuk kanë asnjë lidhje me këtë kompeticion”. Sigurisht, fjalë jo shumë të frymëzuara ato të Dirk Kuyt, legjendës së futbollit holandez, i cili muajin e kaluar,  lajmin e kualifikimit të skuadrës moldave në fazën e grupeve, e komentoi kështu në mikrofonat e RTL 7.

Prandaj është i kuptueshëm gëzimi i trajnerit të Sherif Tiraspol, i cili pas fitores historike në “Bernabeu” shpjegoi se skuadra e tij mund të jetë në Ligën e Kampionëve, madje me meritë, duke pasur parasysh se mposhti Shakhtar Donetsk dhe “Los Blancos”, në dy sfidat e para të fazës së grupeve.

Tashmë, nisur nga ky sensacion futbollistik, mediat kanë gjurmuar se kush është ky klub modest dhe i panjohur moldav deri dje. Sipas Transfermarkt, Sherif Tiraspol dukej skuadra me shansin më të vogël në histori për të fituar në tempullin e atyre që gjatë viteve e kanë marrë trofeun e madh 13 herë në shtëpi.

Eshtë e panevojshme të thuhet, moldavët janë klubi me vlerën më të ulët si skuadër në këtë fazë të grupeve të Champions-it, me 12.38 milionë euro. Dhe e parafundit në listë, Malmö, tashmë vlen dy herë më shumë se udhëheqësit e grupit të Real Madridit.

Meqë jemi te vlerat e tregut, të bardhët janë të shtatët me pothuajse 800 milionë euro dhe një lojtar mesatar, i cili vlen 30 milionë, kundrejt 400 mijë eurove të një homologu moldav. Një mospërputhje që çon në llogaritjet e veçanta. Ashtu si llogaritja e pabesueshme, por e vërtetë, se krejt skuadra e Sherif Tiraspol vlen më pak se paga vjetore e Gareth Bale (15 milionë euro neto).

Duke i marrë lojtar pas lojtari, pyetja arrin nivele paradoksale. Lojtari me vlerësimin më të lartë te klubi moldav është kapiteni Frank Castañeda, i cili falë bëmave të fundit të ekipit të tij ka arritur në pak miliona euro. Nga ana tjetër, lojtari më i vlerësuar i Realit për momentin është Casemiro, i cili vlen “vetëm” 70 milionë euro.

Me pak fjalë, numrat në dorë Drik Kuyt duhet të jenë të drejtë. Por, pastaj flet fusha dhe… moldavët kanë fituar dy ndeshjet e para në grup. Njërën prej tyre, brenda në “Bernabeu”, ndaj 13 herë kampionëve të Europës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit