HISTORIKEEEEE!!!! Shqipëria merr medaljen e parë olimpike, mundësi Chermen Valiev medalje bronzi në Paris 2024

10 Gusht 2024
19:53
Telesport
back button

E jashtëzakonshme, një mrekulli ka ndodhur sot në Paris 2024!!!! Për herë të parë në histori, Shqipëria fiton një medalje olimpike.

Një ëndërr që bëhet realitet për sportin shqiptar! Më në fund, edhe flamuri kuqezi do të valëvitet në një podium olimpik!

Këtë gjë e realizoi sot pasdite mundësi Chermen Valiev, që mori medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Ai doli i treti në peshën 74kg, në stilin e lirë.

Një paraqitje e shkëlqyer e mundësit 25-vjeçar shqiptar, rus por i natyralizuar këtë vit, që nderoi ngjyrat kuqezi, duke i dhënë Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori.

Në sfidën për medaljen e bronztë, zhvilluar në “Champs de Mars Arena”, Valiev mundi 6-2 Viktor Rassadin të Taxhikistanit, në një përballje të jashtëzakonshme.

Një sfidë e dominuar nga Valiev, që fitoi 2-0 pas periodës së parë dhe më pas e thelloi epërsinë në periodën e dytë, duke e kontrolluar sfidën dhe merituar fitoren.

Në këtë turne, Valiev arriti tri fitore e një humbje. Në raundin e parë, ai mundi 4-3 Turan Bayramov të Azerbajxhanit, ndërsa në çerekfinale u mund 6-5 nga Razambek Jamalov i Uzbekistanit.

Në “ripeshkim”, ai fitoi 12-2 ndaj Mohamedkhabib Kadzimahamedau, rus por që garonte si neutral. E në fund, “qershia mbi tortë”, fitorja ndaj Rassadin, që i dha medaljen e bronztë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit