Humbja e parë për Teutën në Ligën Ballkanike, maqedonasit e Blokotehna triumfojnë në Durrës

11 Dhjetor 2018
20:29
Telesport
back button

Teuta në basketboll për meshkuj është mundur 70-61 nga skuadra maqedonase e Blokotehna, ndeshje e vlefshme për Ligën Ballkanike në basketboll për meshkuj (BIBL), luajtur në Durrës. Kjo është humbja e parë e ekipit durrsak në këtë turne, disfatë që vjen pas tri fitoreve radhazi, ndërsa për fqinjët maqedonas kjo është fitorja e dytë në po kaq takime. Një zhgënjim disi i papritur për Teutën, që konsiderohej favorite, duke parë sfidat e mëparshme në këtë turne, por gaboi në fund, në një ndeshje me emocione e rivalitet.

Teuta – Blokotehna, 61-70 (15-12, 15-16, 13-17, 18-25)

Takimi nis mirë për durrsakët, që kanë komandën e lojës në periodën e parë, ku kryesojnë 15-12 edhe pse gabimet e të dyja skuadrave janë të shumta. Loja ruan të njëjtin ritëm edhe në çerekun e dytë, me durrsakët që janë gjithnjë përpara, por pa mundur të shkëputen. 20 minutat e para mbyllen 30-28 për “djemtë e detit”, që në periodën e tretë ndjejnë më shumë presionin e miqve. Blokotehna ngre ndjeshëm ritmin e saj dhe del për herë të parë përpara në çerekun e tretë, në të cilin udhëheq 43-45.

Nga ky moment, ndeshja është nën kontrollin e ekipit maqedonas, që ruan një avantazh prej 5-7 pikësh, duke e bërë interesante lojën në minutat e fundit. Teuta nuk dorëzohet, e ngushton diferencën deri në dy pikë, por gabon atëherë kur duhej të bënte përmbysjen. Miqtë përfitojnë nga gabimet e durrsakëve, duke u shkëputur sërish në minutën e fundit dhe fitojnë 71-60, një fitore e vështirë por e merituar.

Wilson me 23 pikë ishte shënuesi më i mirë për Teutën, mbështetur nga Hysenagolli me 13, ndërsa për miqtë u dallua Penn me 19 pikë e 10 rebound. Dy sfidat e radhës së Teutës pas një jave, të dyja në Bullgari, ndaj ekipeve vendase të BC Beroe (18 dhjetor) dhe Academix Bultex (20 dhjetor). Pas kësaj humbje, Teuta zbret në vendin e tretë në Ligën Ballkanike, me 3 fitore e 1 humbje.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit