“I futi duart” gazetares “live”, flet 45-vjeçari italian: Më përshkruajnë si përdhunues, por nuk…

30 Nëntor 2021
14:16
Alfred Lleshi
back button

Ngacmuesi i gazetares Greta Beccaglia pas Empoli-Fiorentina u identifikua dje falë kamerave përreth stadiumit. Bëhet fjalë për Andrea Serrani, 45 vjeç, nga Chiaravalle, punëtor në sektorin e hotelierisë. Ai foli në programin e “Radio 24”, të titulluar “La Zanzara”:

“Më përshkruajnë si përdhunues, por nuk jam i tillë. Nuk ndihem aspak mirë për atë që kam bërë. Në shtëpi më pyetën: Si të shkoi në mendje? Ishte habitur edhe partnerja ime. Ata e dinë që nuk jam njeri i keq. Tani po kalojmë të gjitha problemet e mundshme në botë. Avokati im po kërkon mbrojtësin e gazetares, dua t’i kërkoj falje zyrtare”.

Ndërkohë, ndaj tij është bërë kallëzim dhe prokuroria e Firences ka hapur dosjen për zbardhjen e kësaj çështjeje. Edhe për akuzën e pështyrjes para ngacmimit: “Po kollitesha, nuk pështyva. Shiko si shihet gabimisht edhe kjo gjë. Njeriu punon një jetë, krijon një jetë dhe pastaj shikon se çfarë ndodh me diçka të tillë…”

Serrani, veç akuzës për ngacmim dhe dhunë seksuale, ka tashmë një dënim për të vuajtur: komisari i policisë së Firences, në fakt, ia ka ndaluar të shkojë në stadium për tri vite. Dispozita ndaluese vlen nga dita e sotme, kur do të luhet Fiorentina-Sampdoria, ndeshje në të cilën Greta Beccaglia do të marrë pjesë në tribunë, pas ftesës së presidentit Commisso dhe klubit vjollcë.

“Ngacmuesi paska kërkuar falje? As që e kam lexuar, – tha Beccaglia, – por nuk i pranoj. Unë vazhdoj betejën time edhe për të gjitha vajzat që vuajnë çdo ditë me kamerat e fikura. Ankesa ime dënon gjestin e tij, por edhe të shumë njerëzve të tjerë që ishin të pranishëm atje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit