Ibra e ka zgjedhur skuadrën e re, por mungon akordi për kontratën

10 Dhjetor 2019
9:23
Alfred Lleshi
back button

Pas një “telenovele” disi të gjatë, Zlatan Ibrahimoviç duket se ka shpërndarë çdo dyshim, edhe nëse siguria mund të vijë vetëm me konfirmimin zyrtar të palëve. Sulmuesi suedez, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, ka zgjedhur Milanin për rikthimin e tij në Itali dhe në Serie A. Sulmuesi 38-vjeçar ka lënë mënjanë Bologna, siç konfirmohej dje nga Walter Sabatini, dhe dëshiron të kthehet në Milano për një sfidë të denjë për emrin e tij, për lidhjen e tij me ngjyrat kuqezi dhe, gjithashtu, për arsye familjare (qyteti i pëlqen gruas së tij, Helena).

Kjo zgjedhje iu është konfirmuar me besim disa miqve, por detajet janë ende të panjohura, çka pret zyrtarizimin përfundimtar. Këto detaje lidhen me kontratën e Ibrahimoviç, si në anën ekonomike, ashtu edhe të kohëzgjatjes. Suedezi nuk e ka pranuar ende ofertën ekonomike të kuqezinjve për gjysmën e mbetur të sezonit (2 milionë euro) dhe, gjithashtu, kohëzgjatjen 6-mujore, plus një sezon tjetër si opsion. Për edicionin e ardhshëm, palët kanë negociuar shifrën e 4 milionë eurove. Në fakt, Ibrahimoviç dëshiron të nënshkruajë kontratë për një vit e gjysmë, menjëherë, me një bazë më të lartë ekonomike. Zgjedhja, të paktën në mënyrë shpirtërore, është bërë. 

Sidoqoftë, ka akoma një shpresë, që ushqen një skuadër tjetër, e vetmja tjetër e vërtetë, që mbeti në garën për Ibrahimoviç. Po flasim për Napolin. Sipas “Il Corriere dello Sport”, Mino Raiola i kërkoi 4 milionë euro deri në qershor klubit të Aurelio De Laurentiis, me opsionin që kontrata të zgjatet edhe për sezonin 2020-2021. Lojtari, megjithatë, tani duket i orientuar plotësisht drejt Milanit. Sot, 10 dhjetori, ishte dita e paralajmëruar disa kohë më parë nga Ibrahimoviç për të zyrtarizuar të ardhmen e tij, kështu që është e mundur që kjo gjë të ndodhë shumë shpejt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit