Ibrahimovic: Derisa të fitoj trofe, nuk do të dorëzohem. Na presin gjëra të mëdha për 125 vjetorin e Milanit

13 Nëntor 2024
11:24
Alfred Lleshi
back button

Intervistë e gjatë me Zlatan Ibrahimovic, konsulent i Milanit, dhënë për revistën “Champions”. Këtu janë disa nga pasazhet kryesore: “Ne do të bëjmë gjëra të mëdha për 125-vjetorin e klubit, kemi disa surpriza të planifikuara. Milani është pjesë e historisë së futbollit, ne jemi vetëm një brez i ri në këtë histori.

Ne e sjellim të kaluarën në të tashmen dhe i përziejmë ato. Personalisht ndaj të njëjtin vizion si njerëzit që punojnë përditë në klub, sepse duam të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, të fitojmë. Unë do të bëj gjithçka, nuk do të dorëzohem derisa të fitoj. E kam nisur këtë rol të ri me përulësi, hap pas hapi dhe po mësoj shumë”.

Gjiganti suedez vazhdoi më tej: “Kam luajtur për shumë klube, disa skuadra të jashtëzakonshme, të mëdha, por ai që më ka dhënë më shumë në karrierën time është Milani. Unë kam qenë këtu dy herë, e vlerësoj shumë çfarë përfaqëson Milani. Thjesht dua t’i kthej diçka në këtë rol të ri nga gjithçka më ka dhënë si futbollist”.

Për kalimin nga lojtar në drejtues, Ibra thotë: “Që kur pranova të mos luaja më, jam mirë. Ndihem i qetë me këtë vendim, kështu që nuk më mungon të luajturit futboll. Ndonjëherë ndihem i frustruar që nuk jam në fushë, por është më shumë për shkak të përvojës sime dhe asaj që mund të bëja.

Pra, nuk është se më mungon të luajturit në vetvete. Kam kolegë të shkëlqyer dhe punoj me njerëz të mirë, që më ndihmojnë. Jemi një ekip i madh menaxhues, të rinj, të uritur, me ambicie të mëdha. Askush nga ne nuk mund të jetë i kënaqur derisa të marrim atë që duam, pra të fitojmë trofe”.

Fokusi i tij më pas kaloi te marrëdhënia me futbollistët: “Personalisht flas shumë me ta, kam kontakte të përditshme me lojtarët. Është pjesë e rolit tim të qëndroj pranë tyre, t’i ndihmoj, t’i këshilloj”.

Megjithatë, Ibrahimovic i rikthehet ambicies së tij personale: “Ambicia është të shkruajmë histori. Të bësh histori do të thotë të fitosh trofe. Milani ka fituar historikisht shumë trofe, kështu që është diçka që vazhdon. Natyrisht, ne po e synojmë këtë, por duhet shumë punë. Jemi në progres, shumë gjëra duhet të vihen në vendin e duhur.

Duhet t’i besoni procesit, sepse po punojmë në kushte të ndryshme. Për shembull, ne iu kushtojmë shumë vëmendje të rinjve tani, sepse besojmë tek ata. Vetëm këtë sezon krijuam ‘Milan Futuro’, ku luan një pjesë e akademisë sonë. Ne besojmë shumë në të. Na mungojnë disa rezultate pozitive këtë sezon, por ka shumë gjëra të reja në klub, një trajner i ri, lojtarë të rinj.

Ka shumë gjëra të reja që duhet të integrohen dhe, kur ta bëjmë këtë, do të fillojmë të fluturojmë. Një nga objektivat tona është të kthehemi në majat e futbollit europian, sepse Milani i përket top-futbollit europian. Sidoqoftë, nuk ka rrugë të shkurtra për të arritur atje.

Nëse shikojmë futbollin italian, nuk mund ta krahasojmë atë me Premier League. Ne duhet të punojmë në kushte të ndryshme, të jemi më të zgjuar dhe të bëjmë lëvizje të ndryshme. Kjo është ajo që po bëjmë, me synim për të arritur në skenën globale, sepse Milani është global”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit