Ibrahimovic tregon rolin e ri te Milani: Ofertën që mora nga Cardinale nuk mund ta refuzoja

3 Maj 2024
11:27
Alfred Lleshi
back button

Në një intervistë me podcast-in suedez të Anas Bukhash, “ABTalks”, Zlatan Ibrahimovic, këshilltar i lartë i “RedBird”, gjithashtu me një rol drejtues brenda Milanit, foli për tema të ndryshme, duke filluar nga jeta e tij e re jashtë fushës:

“Unë jam mirë, jeta është e mirë edhe pa futboll. E trajtoja veten mirë edhe tetë muaj më parë, tani kam një jetë ndryshe. Unë jam akoma më i miri, mund të vazhdoja të luaja futboll, por zgjodha të ndaloja për të qëndruar më shumë me familjen time.

Nëse do të kisha vazhduar, nuk mund të bëja gjërat që doja me fëmijët e mi. Kisha probleme me gjunjët, kështu që arrita në një pikë kur thashë: në rregull, lëre këtë punë dhe fillo një kapitull të ri në jetën tënde”.

Suedezi sqaroi edhe çfarë roli ka ai te Milani: “Cardinale më bëri një ofertë që nuk mund ta refuzoja. Fillova të punoja si menaxher i Milanit, kam tre ose katër muaj në këtë rol. Gjithçka po shkon mirë”.

Si është jeta e tij pa futboll të përditëshëm, me familjen? “Gruaja ime gjithmonë më thotë: kujto kush u kujdes për ty para se të filloje të kujdeseshe për familjen. Ajo hoqi dorë nga karriera për mua. Më shoqëroi në çdo gjë që bëja, më dha gjithçka dhe hoqi dorë nga gjithçka për mua.

Unë nuk mendoj se duhet të keni ego të madhe në një marrëdhënie, duke qenë mbi dikë tjetër. Mendoj se duhet të jeni 50/50. Padyshim që ajo merr më shumë përgjegjësi në disa gjëra, në të tjera unë. Ju mendoni se jemi një familje që jetojmë një jetë luksoze, por ajo lan dhe gatuan vetë, pastron shtëpinë, merr fëmijët në shkollë”, – saktësoi Ibra.

A i mungon Raiola? Ja si përgjigjet Ibra: “Kur ai ndërroi jetë ishte një goditje e rëndë për mua. Kam qarë shumë. Dhe nuk ka mbaruar akoma, sepse ndonjëherë nuk i mbaj dot lotët. Më mungon shumë. Të gjithë ata që më njohin mua dhe atë e kuptojnë se sa të afërt ishim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit