“Immobile mund të bëjë ndryshimin, titullin në Serie A e fiton Interi”

23 Shkurt 2021
14:54
Alfred Lleshi
back button

Lidhur me ndeshjen e sotme midis Lazio dhe Bayern Munchen, e planifikuar të luhet në “Olimpico”, Karl-Heinze Rummenigge shpreh mendimet e tij për Ciro Immobile, i cili në të kaluarën luajti në Bundesliga me fanellën e Borussia Dortmund: “Ai luajti për Dortmund dhe nuk pati një sezon të shkëlqyeshëm, por u kritikua padrejtësisht. Ishte një vit i komplikuar për të gjithë te Borussia. Në Itali na bëri të kuptojmë cilësitë e tij të mëdha si futbollist, ai është gjithmonë në gjendje të bëjë ndryshimin”.

Pastaj, Rummenigge komenton ndeshjen e Ligës së Kampionëve midis Lazio dhe Bayern Munchen: “Për fat të keq kemi mungesa, jo vetëm për shkak të disa dëmtimeve, por edhe prej Covid-19. Megjithatë, ne kemi një grup të plotë, sa të të bëjmë më të mirën në Romë. Skuadra është shumë e motivuar. Ne fituam Ligën e Kampionëve vitin e kaluar, duam ta përsërisim këtë sukses edhe në sezonin aktual”.

Lidhur me duelin e shkëlqyeshëm Immobile-Lewandowski, CEO i bavarezëve nuk ka dyshime: “Të dy janë shumë të mirë. Immobile bëri shumë mirë vitin e kaluar dhe ishte shënuesi më i mirë europian, Lewandowski u shpall lojtari më i mirë në botë”.

Sa i përket garës së “Scudetto” në Serie A, Rummenigge, një ish-lojtar i Interit, i uron fatin më të mirë ekipit të Conte, tani në krye të renditjes me +4 pikë ndaj Milanit, pas fitores në derbi: “Jam i lumtur që Interi u kthye në një mënyrë të shkëlqyeshme, pas disa vitesh vuajtje. Unë besoj në të, Interi është favorit i madh për ta fituar titullin. Ia uroj me zemër. Lukaku? Më pëlqen, sepse shënon, asiston, luan për ekipin; është mjaft i mirë si teknikisht, ashtu edhe në finalizim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit