Etapa e katërt e Tiurit të 81-të Çiklistik, ajo Vlorë-Himarë-Llogara, 145km e gjatë, ka regjistruar një aksident të rëndë. Mësohet se tri çiklistë të huaj kanë humbur kontrollin dhe kanë dalë nga rruga, duke pësuar lëndime.
Incidenti ka ndodhur në aksin rrugor Kuç-Qeparo. Fillimisht çiklistët kanë marrë ndihmën e parë që në vendngjarje e më pas janë transportuar në spitalin e Himarës. Fatmirësisht, të tri garuesit janë jashtë rrezikut për jetën.
Dëmtimet e marra kanë qenë të shumta e të forta, por ndihma e parë nuk ka munguar. Policia ka mbërritur gjithashtu në vendngjarje dhe po heton dinamikën e incidentit, duke zbardhur ngjarjen.
Turi i 81-të Çiklistik do të mbyllet sot me etapën e pestë dhe të fundit Vlorë-Fier, 122km e gjatë. Deri më tani, Turi kryesohet nga serbi Djorde Duric, që ka fituar dy nga etapat e deritanishme.