Komisioni i Garave i Federatës Spanjolle të Futbollit, pasi ka analizuar raportin e gjyqtarit Busquets Ferrer për ngjarjet në derbin madrilen ndërmjet Atletico Madrid dhe Real Madrid, vendosi mbylljen e zonës jugore të Metropolitano për 3 ndeshje dhe 45 000 euro gjobë.
Ngjarjet e ndodhura në stadium u konsideruan të rënda, por kryesisht të lokalizuara në një sektor të stadiumit. Ndaj sanksioni është i pjesshëm dhe nuk ka të bëjë me të gjithë stadiumin e Atlético. Ndeshjet që do ta shohin këtë sanksion aktiv do të jenë kundër Leganés, Las Palmas dhe Alavés.
Drejtuesit e klubit “colchoneros” mund të apelojnë vendimin në Komitetin e Apelit dhe më pas mund t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për të marrë një ulje të sanksionit.
Në raportin e gjyqtarit rezultoi se në minutën e 64-të u hodhën disa objekte nga pjesa e poshtme e skajit jugor, ku ndodhej Courtois, pa e goditur atë (në veçanti tre çakmakë dhe një shishe me ujë). Nëse gjuajtjet do të ishin përsëritur, loja do të ishte ndërprerë përfundimisht, duke zbatuar me korrektësi protokollin ekzistues për këto raste dhune.