Miqësorja e fundit për Inter nuk ka qenë shumë e mirë. Skuadra zikaltër u mund 2-0 nga arabët e Al-Ittihad. Mbrojtësi Matteo Darmian foli për humbjen dhe u ndal në punën që skuadra e trajnerit Inzaghi po bën për sezonin e ardhshëm.
“Ne duam gjithmonë të fitojmë, por në këtë fazë është normale të mos jemi super të kthjellët. Kemi bërë disa gabime që duhet t’i kufizojmë, por po përgatitemi ta përballojmë sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Darmian.
“Ne e njihnim këtë kundërshtar, karakteristikat e tyre. Pësuam një gol me një kundërsulm, në një lëvizje të mirë të tyre. Nga ana jonë ka pasur gabime, po punojmë mirë dhe nuk duhet të ndikohemi nga rezultati”, u shpreh mbrojtësi zikaltër.
Më tej, Darmian shtoi: “Ne duhet të punojmë siç po bëjmë deri tani, jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë aty ku e lamë vitin e kaluar. Blerjet e reja do të na ndihmojnë. Nga ana jonë ka një dëshirë për t’i bërë ata të ndihen të qetë menjëherë”.
“Patëm disa dëmtime dhe na vjen keq për Taremin, Zielinski dhe Marko Arnautovic. Nuk e di, edhe Stefan de Vrij u largua pak minuta para përfundimit të ndeshjes. Ata janë lojtarë të rëndësishëm, do të na japin një dorë të madhe gjatë sezonit”, tha Darmian.
“Të fitosh është e vështirë, të konfirmosh është edhe më e vështirë. Vitet e fundit kanë treguar se skuadra që fitoi kampionatin nuk ishte në gjendje të rikonfirmonte veten. Ne duam ta bëjmë dhe do të punojmë në mënyrën më të mirë të mundshme për ta nisur mirë që në ndeshjen e parë kundër Genoa”, u shpreh Matteo Darmian.