Inter eliminon Barçën, Valdes tërheq skuadrën nga turneu

18 Gusht 2019
16:19
Denis Hakanaj
back button

“Unë kështu nuk luaj”.

Victor Valdes, i kthyer prej pak kohësh te Barcelona në rolin e trajnerit të Juvenil A, ekipi Under 19, ka përfunduar në vëmendjen e mediave spanjolle pas një vendimi të pazakontë. Mëngjesin e sotëm, në fakt, ai ka tërhequr skuadrën e tij nga Otten Cup, turne ndërkombëtar që po zhvillohet në Eindhoven, Holandë.

Sipas Valdes nuk është garantuar siguria e lojtarëve të tij, për këtë arsye ai ka preferuar të heqë dorë nga finalja për vendin e tretë kundër Everton-it, pas humbjes së pësuar në gjysmëfinalen kundër Inter-it.

“Barcelona, – lexohet në komunikatën për shtyp, – nuk e ka zhvilluar ndeshjen sepse numri i madh i lojtarëve të dëmtuar për shkak të intensitetit të lartë të turneut e kanë bërë të pamundur të paraqisnim një ekip pa vënë në rrezik shëndetin e atletëve”.

Valdes e ka shpjeguar më pas zgjedhjen e tij në Instagram: “E kam marrë këtë vendim si përgjegjësi kryesor i grupit tim të lojtarëve dhe është e bazuar vetëm te dëshira për të mbrojtur shëndetin e tyre. Nuk jemi dakord me organizatorët e turneut në lidhje me kohën e pushimit mes ndeshjeve (katalanasit duhet të luanin vetëm një orë pas humbjes në gjysmëfinale)”, ka shkruar Valdes.

“Nuk kemi patur kohë të rikuperojmë. Përpara rrezikut të lartë të dëmtimeve ose, akoma më keq, të probleme kardiake, unë marr përgjegjësinë për zgjedhjen e bërë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit