Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ndau emocione dhe kujtime gjatë fjalimit në Salone dei Cinquecento në Firence, si pjesë e ceremonisë së çmimeve ‘Fair Play Menarini – Kampionët tregojnë historinë e tyre’.
Duke folur për shumë vitet e kaluara në Itali, Zanetti tha:
“Gjëja më e mirë është respekti që kam marrë nga të gjithë pasi u tërhiqa nga futbolli. Më kujtohet Paolo Maldini që tha se kam qenë një kundërshtar besnik: Nuk do ta harroj kurrë.
“U dashurova me Interin që nga dita e parë në Appiano Gentile, kur Ottavio Bianchi dhe Massimo Moratti ishin atje. Erdha nga Banfield dhe Interi ndryshoi jetën time. Vija nga një familje modeste: nëna ime ishte shtëpiake, babai im murator.
“Nuk na mungonte asgjë, por në Argjentinë ishte një periudhë e vështirë, unë dhe vëllai studionim. Jam rritur me ato vlera që më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës”.
Zanetti kujtoi gjithashtu me dashuri periudhën e kaluar duke punuar me babanë e tij:
“Ishte një nga momentet më të mira, luajta për Independiente, por më thanë se nuk isha më pjesë e saj, kështu që nisa të punoja me babanë për një vit.
“Pastaj ai më tha të provoja përsëri futbollin. Ato fjalë ishin vendimtare. Kalova testin për një ekip tjetër dhe atëherë takova gruan time, e cila luante basketboll. Ne u rritëm së bashku”.
Së fundi, Zanetti foli për mbrëmjen e lamtumirës së tij me futbollin, një moment i paharrueshëm:
“Isha 41 vjeç, dhashë gjithçka dhe ajo mbrëmje ishte shumë emocionuese. Në një çast kaluan para meje 20 vite tek Inter, me të cilin do të kem gjithmonë një lidhje të veçantë. Nuk mund të kërkoja më shumë nga futbolli”.