Inter-Inzaghi, rinovimi “vuloset” javën e ardhshme. Ja detajet dhe shifrat e marrëveshjes së re

29 Maj 2024
10:37
Alfred Lleshi
back button

Dje u zhvillua takimi i parë njohës mes drejtuesve të Oaktree, pronarit të ri të Interit, dhe trajnerit Simone Inzaghi, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesit Marotta e Ausilio. Një takim, siç u përmend, në të cilin palët u njohën drejtpërdrejt, megjithatë nuk u trajtuan tema të nxehta si rinovimi i kontratës së trajnerit dhe çështjet e tregut të transferimeve.

Për këtë arsye vëmendja është nga e nesërmja, kur bashkë me drejtuesit zikaltër, trajneri do të bëjë një bilanc të situatës në merkato dhe do të shpalosë strategjitë për ta forcuar më tej ekipin në verë.

Megjithatë, rinovimi i trajnerit mbetet temë e rendit të ditës, gjë e cila, sipas “Gazzetta dello Sport”, do të trajtohet së shpejti. Konkretisht, momenti më i mirë duket të jetë java e ardhshme, kur Marotta dhe Ausilio do të takohen me Tullio Tinti, agjentin e trajnerit kampion në fuqi të Italisë.

Tashmë janë hedhur bazat për nënshkrimin dhe vazhdimin e “martesës”, mbeten vetëm detajet klasike për t’u zgjidhur. Aktualisht i lidhur me Interin deri në qershor 2025, ideja është që kontrata e Simone Inzaghit të zgjatet me 2 vite, pra deri më 2027.

Në të njëjtën kohë do të ketë edhe një rregullim financiar kontraktual, me Inzaghin që do të shkojë nga 5.5 milionë euro neto në sezon, sa merr aktualisht, në 6.5 milionë euro, përfshirë bonuset.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit