Inter-Milan për të rifituar skenën, derbi i çuditshëm për Lautaro Martinez dhe Leao

21 Shtator 2024
22:24
Alfred Lleshi
back button

Nuk ka gjasa që ata ta gjejnë veten duke konkurruar drejtpërdrejt në fushë, por në mënyrë ideale, derbi mes Interit dhe Milanit është edhe ndeshja në distancë midis Lautaro Martinez e Rafael Leao, dy lojtarët më vendimtarë dhe nga të cilët presim më shumë.

Në derbet e fundit ishte argjentinasi, si gjithë Interi, që mbizotëroi, por qendërsulmuesi zikaltër nuk po kalon një moment të mirë dhe ndaj Manchester City e nisi nga pankina. Fillimi i sezonit për Leao është edhe më “i errët”. Në rastin e tij jo vetëm për paraqitjet në fushë, por pothuajse më shumë për çështje që nuk kanë të bëjnë rreptësisht me futbollin e luajtur. Inter-Milani i nesërm është padyshim shansi më i mirë për të shpaguar veten.

LAUTARO, ENDE “THATË”
Golashënuesi më i mirë i Serie A të fundit është ende me zero gola në këtë kampionat. Argjentinasi humbi ndeshjen e dytë kundër Lecce për shkak të një problemi të vogël muskulor, por i nisi tri sfidat e tjera kundër Genoa, Atalanta dhe Monza.

Duke e zgjeruar pamjen, argjentinasi ishte në vështirësi për të gjetur golin edhe në pjesën e fundit të sezonit të kaluar, të paktën me fanellën e Interit. Në fakt, në 12 ndeshjet e fundit ai ka shënuar vetëm një gol. Shifra të pabesueshme nëse mendojmë për mesataren që kishte deri në fund të shkurtit.

LEAO, PROBLEMI NUK JANË NUMRAT
Ndërsa për Leaon, duke parë shifrat sezonale mes golave ​​dhe asisteve, mund të thuhet se në realitet nuk po përjeton një moment të vërtetë krize. Një gol dhe tri asiste në pesë ndeshje, mes kampionatit dhe Champions League (duke luajtur vetëm 20 minuta me Lazion) nuk janë pak. Me pak fjalë, mund të presim që portugezi të jetë më i mprehtë në zonën e portës, por në çdo rast ka dhënë tashmë kontributin e tij në fushë.

GJENDJA FIZIKE DHE BESIMI, ÇFARË I NEVOJITET LAUTARO
Pasi jenë evidentuar numrat e dy lojtarëve, le të shohim se çfarë fshihet pas momenteve të komplikuara që po kalojnë. Për Lautaron është vetëm një “problem” në fushë, mungesa e golit. Sidoqoftë, askush nuk dyshon për rëndësinë e tij dhe udhëheqjen e Interit. Ai thjesht nuk po shënon.

Në fillimin negativ të sezonit të ri sigurisht ka ndikuar edhe gjendja fizike, me lojtarin që nuk e ka kryer të plotë përgatitoren verore. Pastaj edhe faktori i besimit. Lautaro ka luftuar gjithmonë për të dalë nga periudhat në të cilat nuk e ka gjetur dot rrugën e rrjetës. Pastaj, sigurisht, pasi të jetë zhbllokuar, gjithçka kthehet në normalitet.

LEAO PA VAZHDIMËSI
Në protestën e tifozëve të Milanit pas disfatës ndaj Liverpool-it, portugezi nuk “shpëtoi”, përkundrazi. Leao është në qendër të diskutimit për disa qëndrime që kanë qenë gjithmonë pjesë e karakterit dhe mënyrës së tij të të jetuarit të futbollit.

Në sfidën e fundit u largua i vetëm nga fusha, por më parë kishte pasur episode që krijuan përçarje dhe polemika. Mbi të gjitha “cooling break” në distancë ndaj Lazios, pas zgjedhjes së trajnerit Fonseca për ta përjashtuar nga formacioni titullar. Ambienti kuqezi i kërkon të demonstrojë në 360 gradë se është njeriu që e nxjerr Milanin nga vështirësitë, derbi do të ishte një fillim i mbarë për këtë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit