Inter ofron dy lojtarë në këmbim të ish-yllit të Milan-it, refuzohet oferta

6 Qershor 2023
15:32
Denis Hakanaj
back button

Është koha për të thënë lamtumirë mes Kessie dhe Barcelonës. Në fakt, blaugranat janë të detyruar të shesin për të zbatuar planin e paraqitur në La Liga dhe emri i afrikanit figuron mes emrave që do të sakrifiohen nga Barça.

Pavarësisht punës intensive të njerëzve të merkatos të katalanasve, të vetmit që me siguri do të largohen nga Camp Nou deri më 30 qershor do të jenë Umtiti dhe Lenglet, të dy me kontratat drejt skadencës. Ansu Fati dhe Ferran Torres janë gjithashtu me valixhe në dorë.

Kessie, i cili mbërriti te Barça verën e kaluar, do të dëshironte të qëndronte, por në rast lamtumire ai do të dëshironte të kthehej në Itali, ku ka veshur fanellat e Cesena (2015-16), Atalanta (2016-17) dhe Milan (2017-2022).

Për të, prej disa kohësh, interesohet Interi. Sipas gazetës spanjolle Sport, mesfushori do të ishte ende në krye të listës së dëshirave të zikaltërve, por duhet gjetur formula e duhur.

Marotta në fakt do të kishte propozuar një shkëmbim me Correa dhe Dumfries, profile të cilat megjithatë nuk janë me interes për palën tjetër, e cila duket se e ka refuzuar propozimin. Emri tjetër do të ishte ai i Marcelo Brozovic, një lojtar që Xavi e pëlqen por që nuk do të përfaqësonte atë që klubi kërkon për mesfushorin.

Barcelona e vlerëson Kessie 35 milionë euro, shifër që nuk ka gjasa të paguhet nga Interi. Pra, këtu hapet një skenar tjetër: Premier League, me Liverpool dhe Tottenham që do të ishin të interesuar.

Ndër prioritetet është edhe gjetja e një klubi që luan kupat e Europës, gjë që ngushton fushën dhe e bën edhe më të komplikuar largimin e lojtarit.

Por, Barcelona duhet të shesë me çdo kusht dhe për këtë arsye po u bën presion të madh ndaj lojtarëve dhe menaxherëve për të përshpejtuar operacionet dhe për t’u dhënë oksigjen arkave të klubit.

Kessie mund të jetë i pari që do të largohet: Interi nuk dorëzohet dhe, përsëri sipas Sport, do të kishte vendosur një takim të ri me spanjollët pas finales së Champions League të planifikuar për të shtunën në Ataturk të Stambollit (Turqi) kundër Manchester Cityt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit