Inter-Real Madrid / Zidane në urgjencë totale, Benzema dhe Ramos jashtë

24 Nëntor 2020
9:08
Alfred Lleshi
back button

Interi, pas fitores me përmbysje kundër Torinos në Serie A, e sheh veten në një rrugë me të vërtetë përpjetë në Ligën e Kampionëve. Humbja e fundit ndaj Real Madridit i komplikoi planet e Conte, i cili tani është me dy pikë, i fundit në grup. Real Madridi do të mbërrijë në “San Siro” të mërkurën në mbrëmje për ndeshjen e kthimit. Interi ka nevojë për një fitore me çdo kusht dhe mund të shfrytëzojë, ndryshe nga ndeshja e parë, një situatë emergjence të plotë te Merengues.

Në ndeshjen e fundit të La Liga-s kundër Villarreal (1-1), Zidane nuk mundi të llogariste lojtarët e mëposhtëm: Jovic, Benzema, Ramos, Militao, Casemiro, Valverde dhe Odriozola. Nga këto, vetëm Casemiro do të udhëtojë drejt Milanos. Ai është i vetmi i rikuperuar dhe i thirrur nga trajneri francez. Benzema në veçanti po lufton me një dëmtim të muskujve. Të shtunën ai u zëvendësua nga Mariano Diaz. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në “San Siro”. I riu Hugo Duro u bashkua me të bardhët.

Mbrojtja pa Ramos dhe Militao do të varet nga Nacho, që duhet të mbështesë Varane. Në mesfushë Zidane mund të paraqesë treshen Kroos-Casemiro-Modric. Në radhët e Interit, Brozovic, Kolarov dhe Padelli janë ende pozitivë me Covid-19. Sensi, Pinamonti dhe Vecino janë jashtë fushe për shkak të problemeve fizike. Formacioni duhet të shkruhet praktikisht, me kthimin nga minuta e parë të çiftit Lautaro-Lukaku në sulm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit