Interi “blindon” trajnerin Inzaghi deri në vitin 2026, ja detajet e kontratës së re

11 Korrik 2024
8:00
Alfred Lleshi
back button

Inzaghi dhe Interi vazhdojnë bashkë deri në vitin 2026, lexojmë në “Gazzetta dello Sport”. Dje është zhvilluar një takim me agjentin e trajnerin në zyrë dhe palët kanë arritur marrëveshje.

Tashmë janë kopsitur edhe detajet më të vogla. Simone Inzaghi do të fitojë 6.5 milionë euro në sezon dhe do të bëhet kësisoji trajneri më i paguar në Itali.

Nënshkrimi dhe shpallja janë planifikuar konferencën për shtyp, para “tubimit” të parë për sezonin e ri, të premten.

Situata e Dumfries – Jo vetëm rinovimi i Simone Inzaghit është në axhendën e Interit. Denzel Dumfries, gjithashtu mund të vazhdojë së shpejti kontratën e tij me klubin zikaltër.

Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, ditët e fundit ka pasur një takim mes drejtuesve të Interit dhe përfaqësuesve të lojtarit. Në tavolinë është zgjatja e marrëveshjes me ish-anësorin e PSV-së, të cilit kontrata i skadon pas një viti.

Interi, nga ana e tij, nuk dëshiron ta nisë kampionatin me situatën ende të papërcaktuar (të kombinuar me rrezikun e humbjes së lojtarit falas, pas një viti).

Dimrin e kaluar, Dumfries iu ofrua rinovimi deri në vitin 2028, me pagë prej 4 milionë neto, plus bonuse në sezon (paga aktuale e holandezit është 2.5 milionë euro).

Pas ngërçit të muajve të fundit, me Dumfries të mbërthyer në kërkesën prej 5.5 milionësh si pagë vjetore, anësori i djathtë është kthyer drejt “po”-së, duke iu hapur ofertës së Interit.

Diskutimet e ditëve të fundit kanë qenë pozitive. Ka mundësi që të nevojiten takime të reja kokë më kokë për akordin final, por ndjesia është se marrëveshja është afër.

Ndoshta zyrtarizimi i rinovimit vjen pas Kampionatit Europian (në të cilin anësori i Interit është ende protagonist i madh me fanellën e Holandës së tij, e cila do të thirret të përballet nesër në mbrëmje me Anglinë në gjysmëfinale).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit