Interi i afrohet kuotës 100 milionë euro në Europë. Shqetëson Zielinski, pushim për Lautaron

10 Mars 2025
10:42
Alfred Lleshi
back button

Edhe 12.5 milionë euro të tjera. Çerekfinalet e Champions League janë një objektiv shumë konkret për Interin, që nesër mbrëma do të presë Feyenoordin në “San Siro”. Ndeshja e kthimit nis nga avantazhi 2-0 në Rotterdam, kualifikimi nuk është i sigurt, por rruga duket e lehtësuar.

\Me kalimin në çerekfinale, të ardhurat e zikaltërve nga Champions-i do të rriteshin në pak më pak se 99 milionë euro. Pra, kuota 100 milionë euro është shumë afër, një arritje e rëndësishme, duke pasur parasysh se Interi e arriti të njëjtin nivel të ardhurash edhe me finalen e Stambollit.

Lautaro Martinez do të pushojë. Shqetësimi për kapitenin argjentinas, i cili doli me dhimbje nga përmbysja ndaj Monzës, është minimal. Megjithatë, “Toro” pritet të qëndrojë pushim për shkak të rotacionit, edhe në funksion të ndeshjes së ardhshme të kampionatit kundër Atalantës.

Nesër në formacionin titullar do të rikthehet Marcus Thuram, i cili do të shoqërohet nga njëri mes Arnautovic dhe Taremit në sulm. Ndërkohë, Yann Sommer pritet të rikthehet mes shtyllave, ndërsa shqetësimi më i madh lidhet me gjendjen e Piotr Zielinskit. Mesfushori polak do t’iu nënshtrohet sot testeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Monzës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit