Interi i ka të qarta detyrat për fundin e sezonit; ylli i dytë dhe rinovimi i Inzaghit

28 Mars 2024
8:52
Alfred Lleshi
back button

Pas rinovimit të parë në qershor 2022 dhe të dytit në shtator 2023, së shpejti mund të mbërrijë kapitulli i tretë i sagës, në lidhje me aventurën e Simone Inzaghit në krye të Interit. Siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit zikaltër nuk po nguten, synojnë ta rinovojnë kontratën e trajnerit vetëm pasi të jetë fituar titulli.

Nënshkrimi, duke pasur parasysh gjithashtu avantazhin e madh të ekipit të Interit ndaj ndjekësve të vet, në çdo rast duhet të arrijë para përfundimit të kampionatit. Kontrata e Inzaghit skadon në vitin 2025, kështu që ideja është të zgjatet deri më 2026, me opsion deri në vitin 2027.

Prandaj në tavolinë është një lloj rinovimi 2+1, i kompletuar gjithashtu me një rregullim të merituar ekonomik. Një rregullim i imagjinueshëm prej rreth një milion euro, krahasuar me pagën aktuale që merr Inzaghi.

Duket sikur ka kaluar një shekull nga turbulencat e sezonit të kaluar, kur Inzaghi madje dukej se rrezikonte të shkarkohej. Trajneri, megjithatë, nuk e humbi rrugën, në fakt gjeti rrugën për në finalen e Champions League, për të fituar Kupën e Italisë.

Duke supozuar se ai do të qëndrojë në “timonin” zikaltër deri në vitin 2027, Inzaghi do të bashkonte 6 sezone radhazi tek Interi. Më shumë se 5 sezonet e Bersellini dhe Trap-it, që kur ka ekzistuar Seria A me një raund të vetëm. Vetëm Mago Herrera ka bërë më mirë, duke qëndruar 8 sezone në stolin e Interit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit