Beppe Marotta do të jetë presidenti i ri i Interit. Sot në mëngjes, në orën 10 u mblodh mbledhja e aksionerëve në hotel “Palazzo Parigi” në Milano, e cila emëroi bordin e ri të drejtorëve dhe zgjodhi presidentin e 22-të në historinë e zikaltërve. Ndërsa klubi zikalktër komunikon vendimet e marra, Beppe Marrota zë vendin e Zhang.
“Dëshiroj të falënderoj Oaktree për besimin e treguar, duke më dhënë këtë mundësi për të punuar përkrah tyre dhe bordit drejtues, – janë fjalët e Marotta. – Ky emërim është një njohje e punës fantastike e kryer nga shumë njerëz që kanë menaxhuar klubin gjatë tri viteve të fundit. Ndihem krenar që jam pjesë e Interit dhe ritheksoj angazhimin tim ndaj klubit”.
JA NJOFTIMI PËR SHTYP I OAKTREE
F.C. Internazionale Milano S.p.A. (“Inter” ose “Klubi”) sot shpall propozimin e emërimit të Giuseppe Marotta si president i ri dhe përbërjen e re të Bordit të Drejtorëve të Kompanisë, e cila do të konfirmohet nga Mbledhja e Aksionarëve që do të mbahet sot në Milano. Emërimet e propozuara pasojnë ndryshimin e fundit të pronësisë së klubit. Më 22 maj 2024, fondet e menaxhuara nga Oaktree Capital Management, L.P. (“Oaktree”) morën pronësinë e Interit pas dështimit për të shlyer kredinë 3-vjeçare të dhënë nga Oaktree për pronarët kinezë të Interit.
Oaktree, si pjesë e fokusit të saj në stabilitetin operacional dhe financiar të Interit, ka propozuar emërimin e anëtarëve të rinj të mëposhtëm të Bordit të Drejtorëve:
Alejandro Cano, Drejtor Menaxhues dhe Bashkëdrejtues i Evropës për Strategjinë e Mundësive Globale të Oaktree
Katherine Ralph, Drejtore Menaxhuese e Strategjisë së Mundësive Globale të Oaktree
Renato Meduri, Zëvendës President i Lartë për Strategjinë e Mundësive Globale në Oaktree
Carlo Ligori, bashkëpunëtor për Strategjinë e Mundësive Globale në Oaktree
Delphine Nannan, Zëvendës Presidente e Lartë për zyrën e Oaktree në Luksemburg
Fausto Zanetton, CEO i Tifosy Capital & Advisory
Bordi i ri bashkon ekspertizën nga Italia dhe Evropa, duke përfshirë ekipin e Oaktree që ka punuar me klubin nga viti 2021. Anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve do të ofrojnë përvojë dhe ekspertizë thelbësore për të arritur objektivat afatgjata të kompanisë dhe për të siguruar prosperitet, rritje e suksese të Interit.
“Si anëtarë të rinj të Bordit të Drejtorëve të Interit, e kuptojmë përgjegjësinë tonë ndaj familjes zikaltër dhe trashëgimisë së Interit. Në rolin e Presidentit, Marotta do t’i japë një vazhdimësi të fortë klubit dhe do të sjellë në presidencë përvojën, pasionin e përkushtimin e fituar gjatë një karriere të shkëlqyer në botën e futbollit.
Bordi i Drejtorëve është i gatshëm ta mbështesë presidentin dhe menaxhmentin e Interit për të siguruar që klubi të pozicionohet për sukses të vazhdueshëm brenda dhe jashtë fushës”, – thuhet në njoftimin e pronësisë së re zikaltër.
Në përfundim të kësaj dite historike në mënyrën e vet, Interi do të ketë përfunduar fazën e tranzicionit nga një pronësi në tjetrën dhe do të jetë i lirë të operojë, duke ndërmarrë hapa konkretë si për çështjen e stadiumit, ashtu edhe për merkaton.
Njoftimi për rinovimin e Barella vjen së shpejti, ato të Lautaro dhe Inzaghit do të mbërrijnë më vonë. Gjithashtu do të bëhet një takim me trajnerin për të identifikuar pozicionet e skuadrës që do të përforcohen, pas akordeve me Taremi dhe Zielinski.